“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
Festivalet Panelet e Diskutimit Përfaqësimet
19 Korrik, 2019
ArtFemine Festival 6 – Nish, Serbia – 6 Korrik, 2019
Bashkëpunimi shumëvjeçar në mes të Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, Prishtinë dhe “Centar za devojke”, Nish – Serbi, vazhdoi edhe sivjet me vizitën e aktivisteve nga Artpolis në “ArtFemine 6” – festivalin e aktivizmit feminist dhe të artit, që sivjet u mbajt në datat 4 – 7 korrik, 2019 në Nish.
Ky festival i Nishit me moton ‘Vend edhe për ty’, organizoi disa aktivitete e ndër to edhe një panel diskutimi me temën: “Aktivizmi si art – arti si aktivizëm”. Në këtë panel, të moderuar nga aktorja e Nishit Dragana Jovanoviq, u diskutua mbi fuqinë e artit për të vënë në lëvizje masat. Roli i aktivizmit në shoqëri, në formë të artit, ka një ndikim shumë të madh në vendin ku vepron. “Aktivitetet tona gjithmonë i zhvillojmë përmes artit, konkretisht përmes teatrit apo diskutimeve shoqërore për të thyer barrierat e shoqërisë patriarkale në Kosovë. Përmes artit aktivitetet tona kanë arrit të përçojnë mesazhet për ndryshimet shoqërore si dhe të fuqizojmë gratë dhe të rinjtë për një shoqëri diverse”, gjatë diskutimit në panel u shpreh Venera Ismaili nga Artpolis. Ajo e përmendi shfaqjen forum teatër “Stigma-Kërko të drejtën tënde” që u organizua në të gjitha qendrat e Kosovës, në prezencë të publikut të ndryshëm, si: nxënësit e shkollave të mesme, punonjësit e shkollave, zyrtarë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve komunale dhe qeveritare, aktivistë të organizatave jo qeveritare, artistë/e, etj. Kjo shfaqje shtjellon një temë mjaft të ndjeshme, një histori të bazuar nga lufta e fundit në Kosovë, të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe stigmatizimi i tyre nga shoqëria ku ato jetojnë. Po ashtu e përmendi edhe festivalin FemArt, si një ndër festivalet më prestigjioze në rajon, me përmasa ndërkombëtare, që iu dedikohet artisteve dhe aktivisteve të feminizmit. Sivjet ky festival shënoi edicionin e shtatë dhe pjesëmarrës ishin artistë/e, aktivistë/e nga vendi, rajoni, Evropa, Amerika, Afrika e Azia. Motoja e festivali ishte “Me Liri kundër Marres” për ti inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendim-marrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime.
Paneliste të tjera ishin artiste dhe aktiviste nga Nishi, Beogradi, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia të cilat po ashtu shkëmbyen përvojat dhe mendimet lidhur me artin dhe aktivizmin në vendet prej nga ato vijnë.