Forum Teatri

“Prapa Ekranit” në Viti, nxit debat mbi abuzimet online

8 Maj, 2026

08.05.2026

Më 8 maj 2026, në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti, u prezantua shfaqja forum-teatër “Prapa Ekranit”, e cila trajtoi fenomenet e abuzimit online, kontrollit emocional, bullizmit dhe shtypjes së grave në hapësirat digjitale dhe në jetën e përditshme.

Përmes metodës së forum-teatrit, publiku u bë pjesë aktive e reflektimit dhe diskutimit me personazhet, duke kontribuar në hapjen e dialogut mbi sfidat që të rinjtë përballin në botën digjitale. Atmosfera e shfaqjes nuk përfundoi me mbylljen e skenës — përkundrazi, ajo vazhdoi të jetonte përmes pyetjeve, reflektimeve dhe diskutimeve të nxënësve/eve, të cilët/at nisën të sfidojnë perceptimet mbi dashurinë, kontrollin, dhunën emocionale dhe përgjegjësinë kolektive ndaj padrejtësive.

“Prapa Ekranit” solli në vëmendje ndikimin që dhuna psikologjike dhe manipulimi mund të kenë tek të rinjtë, duke nxitur reflektim mbi përgjegjësinë kolektive, empatinë dhe rëndësinë e reagimit përballë padrejtësive.

“Pse mendon që duhet me e pas këtë kontroll me njeriun që e don?” ishte pyetja nga nxënësja Leonita Ademi e cila ngriti diskutim rreth idesë së kontrollit dhe kujdesit. Ndërsa këshilla e Dafinës (Qëndresa Kajtazi) për audiencën ishte “Me i vrejtë sjelljet ose indikatorët e vegjël, sepse mrapa vetes tregojnë sene të mëdha për një person. Për problemin ma të vogël, bisedoni me prind ose me shoqni, me dikë që është i besueshëm”.

Në këtë shfaqje interpretuan aktorët: Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi. Pozicionimi i aktorëve brenda roleve të tyre, veçanërisht gjatë pjesës së diskutimit me audiencën, ndikoi që nxënësit/et të reflektonin më thellë mbi realitetet e paraqitura në skenë. Përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë me personazhet, audienca pati mundësinë jo vetëm të informohej më shumë për pasojat që sjellin kontrolli emocional, manipulimi dhe dhuna psikologjike, por edhe të kuptojë rëndësinë e reagimit, mbështetjes dhe ndërgjegjësimit përballë këtyre fenomeneve.
E organizuar nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me mbështetje të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East-West Management Institute, kjo shfaqje tregon se arti, kur përdoret me qëllim dhe vetëdije, mund të ndikojë në ndryshime shoqërore dhe në rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë.

Në këtë kuptim, “Prapa Ekranit” mbetet një thirrje e fortë për të parë përtej ekranit dhe për të kuptuar realitetin që shpesh fshihet pas tij.

You may also like