Forum Teatri

Premierë – “Nuk është lojë” – Shfaqje e të rinjëve / Ferizaj

5 Gusht, 2015

“Nuk është lojë”, shfaqja që trajton problemet në mes të qifteve

Regjisorja e shfaqjes, Dardane Mehmeti, për KultPlus tha se shfaqja do të luhet të mërkurën në qytetin e Ferizajt, duke filluar nga ora 19:00

Suzana Berisha

“Nuk është lojë”, kjo është shfaqja e cila do të inskenohet në Teatrin e Qytetit të Ferizajt, “Adriana Abdullahu”. Shfaqja “Nuk është lojë”, vjen në regjinë e Dardane Mehmetit, një bashkëpunim ky në mes të Artpolis-it dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Shfaqja për aktorë ka disa të rinj amatorë, të cilët në bazë të instruksioneve të marra në Artpolis, ata janë mjaftë të përgatitur që të tregojnë vetën shumë të zot në aktrim.
Regjisorja e shfaqjes, Dardane Mehmeti, për KultPlus tha se shfaqja do të luhet të mërkurën në qytetin e Ferizajt, duke filluar nga ora 19:00.

“Shfaqja është duke u punuar me një grup të rinjve nga Ferizaj. Ata praktikisht e kanë ndjekur një trajnim që ne si Artpolis e organizojmë, është mbi teknikat teatrale dhe gjatë trajnimit ne i kemi diskutuar dhe mësuar disa nga teknikat që ne i përdorim në zhanrin e teatrit dhe mandej kemi filluar me prova me një temë të caktuar”, thotë Mehmeti.

Tema që kjo shfaqje trajton, sipas regjisores, është dhuna në familje, dhuna tek qiftet e reja. Ajo tha se brenda kësaj shfaqje do të ketë edhe muzikë, do të ketë gjithashtu humor, ndërsa në fund do të ketë edhe debat lidhur me shfaqjen.
“Shfaqja do të shfaqet vetëm në Ferizaj për momentin, për shkak se vetëm kaq e kishim për momentin përkrahjen. Mirëpo të rinjtë deri me tani kanë shprehur një dëshirë që nga shtatori kur të fillojnë edhe shkollat, kjo shfaqje të reprizohet në po këtë qytet edhe për disa herë”, tregon për KultPlus, Dardane Mehmeti.

“Nuk është lojë”, ka shtatë aktor: Megzon Kurtishi, Uresa Ahmeti, Dora Xhemajli, Drilon Bajrami, Sara Jashari, Uratë Shabani dhe Qëndrim Asllani.“Procesi për këtë shfaqje ka filluar që dhjetë ditë ndërsa të rinjtë kanë arritur pikën që kemi dashur, momentalisht jemi në teatër në Ferizaj duke bërë provat e shfaqjes dhe gjithçka po shkon ashtu siç e kemi menduar” tha në fund regjisorja e shfaqjes “Nuk është lojë”, Dardane Mehmeti.Shfaqja “Nuk është lojë” premierën do ta ketë ditën e mërkurë duke filluar nga ora 19:00, në teatrin e Ferizajt “Adriana Abdullahu”. /KultPlus.com

You may also like