Aktivitetet Punëtoritë

Prezantohen gjetjet e Studimit të Fizibilitetit për teknikë të ndriçimit dhe zërimit

25 Maj, 2026

25.05.2026

Më 25 maj, 2026, në Qendrën e Kompetencës në Prizren, u prezantuan gjetjet kryesore të Studimit të Fizibilitetit në kuadër të projektit “Hartimi, Zhvillimi dhe Prezantimi i një Kurrikule Profesionale 3-Vjeçare për Profilet e Teknikëve të Ndriçimit dhe Zërimit në Sistemin Formal të Edukimit”.

Prezantimi u realizua nga Zana Hoxha dhe Berat Bajrami nga Artpolis, ndërsa Standardi i Profesionit u prezantua nga profesoresha universitare, Besa Luzha. Gjatë aktivitetit u prezantuan të gjeturat kryesore të studimit, të cilat dëshmojnë mungesën kritike të teknikëve të kualifikuar të ndriçimit dhe zërimit në industrinë kreative, rreziqet në sigurinë në punë, si dhe hendekun ndërmjet tregut të punës dhe sistemit arsimor.

Studimi evidenton gjithashtu potencialin e madh ekonomik të industrisë kreative dhe nevojën urgjente për krijimin e profileve profesionale që do t’i përgjigjeshin kërkesave të tregut të punës në teatro, media, festivale, film dhe industrinë e argëtimit. Sipas të gjeturave, tregu ka nevojë për qindra teknikë të rinj të ndriçimit dhe zërimit, ndërsa programi i propozuar synon të krijojë mundësi të qëndrueshme punësimi dhe zhvillimi profesional për të rinjtë.

Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit dhanë rekomandime për avancimin e studimit dhe programit të propozuar, duke theksuar rëndësinë e rritjes së investimeve në laboratorë praktikë, forcimit të komponentës së sigurisë dhe shëndetit në punë, harmonizimit të kurrikulës me standardet ndërkombëtare, si dhe krijimit të një programi gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë të rinjtë.

Ky prezantim shënoi një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të arsimit profesional në industrinë kreative dhe krijimit të një modeli të qëndrueshëm që lidh arsimin me tregun e punës.

Kjo iniciativë është pjesë e projektit Industria Kreative, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe zbatohet nga UNDP Kosovo. Projekti synon të avancojë aftësitë dhe kompetencat e të rinjve dhe të rejave duke hartuar, përshtatur dhe prezantuar kurse pilot brenda sistemit të arsimit formal, të cilat adresojnë boshllëqet e aftësive në industritë kreative (IK). Përmes partneriteteve mes institucioneve arsimore dhe industrisë, projekti ofron gjithashtu programe për zhvillimin e aftësive dhe rifreskimin e tyre, mundësi për të mësuar gjatë gjithë jetës, si dhe mbështetje në formë trajnimi dhe mentorimi.

You may also like