Artpolis

Shfaqja forum teatër “Othello nga Kosova”

14.04.2021

Racizmi e diskriminimi janë çështje shqetësuese në shoqërinë kosovare, e ato duhet luftuar në çdo moment e në shumë mënyra.

Shfaqja forum teatër “Othello nga Kosova” që u realizua në Teatrin Oda më 14 prill shpërfaqi problemet me të cilat përballen komunitetet në Kosovë, por edhe një diskutim të gjallë për veprimet që ne duhet t’i ndërmarrim si shoqëri që të luftojmë këto dukuri, e të rrisim ndërgjegjësimin.

“Othello nga Kosova” ndërthur ofendimet raciste, tradhtitë, xhelozitë e intrigat që ende zënë vend në shoqërinë tonë. Ngjarja fillon kur tre të rinj përgatiten që ta befasojnë shoqen e tyre Desdemonën në ditëlindjen e saj, megjithatë befasia e vërtetë vjen nga vet ajo.

Në këtë festë Desdemona prezanton të dashurin e saj Othellon, që është nga një komunitet tjetër, gjë e cila sjell në pah racizmin dhe xhelozinë e Jagos dhe të Biankës. E në anën tjetër solidaritetin e Kasit me Othellon, i cili gjithashtu është viktimë e racizmit nacionalist pasi rrjedh nga prindër me kombësi shqiptare e serbe.

Aktorët Art Pasha (Jago), Blendon Ahmeti (Kasi), Djellza Dema (Desdemona), Ergjan Mehmeti (Othello) dhe Venera Bojaj (Bianka) të trajnuar nga Edlir Gashi me mjeshtëri sjellën në jetë këto dukuri helmuese në shoqërinë tonë.

E këtë shfaqje e plotësoi edhe më tepër diskutimi i publikut me aktorët/et pas përfundimit të shfaqjes.

Veton Gashi, nga komuniteti jo shumicë  gjatë diskutimit tha se vrasje edhe më e rëndë sesa privimi fizik nga jeta është mbytja e shpresës tek të rinjtë e komuniteteve.  

“Plot njerëz si Jago mund të kenë gjuhë të urrejtjes. Nuk është e lehtë, unë jam prej komuniteteve….Jeta e një personi nuk humb vetëm nëse e vranë, jeta e një personi humb kur ia shuan shpresën nëse e ofendon, kërcënon, kjo duhet të ndryshohet. Unë po mendoj se gjeneratë pas gjenerate po ndryshohet dhe po shpresoj se kjo gjeneratë që jemi duke e parë shfaqjen është pozitive dhe ka me qenë tërë jetën pozitive me ne, e jo ta përkrahin Jagon e me thënë mirë po ia bënë”, është shprehur Gashi ndër të tjera.

Kurse drejtoresha e Artpolisit, njëkohësisht edhe regjisorja e teatrit Zana Hoxha e cila e facilitoi diskutimin, pasi falënderoi Veton Gashin për këtë fjalim, tha se, “po e përmbyllim këtë sesion me shpresën se kjo shfaqje na ka bërë të reflektojmë dhe na ka bërë agjentë të ndryshimit”.

Aktiviteti u krye në përputhje me rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Ky aktivitet mbështetet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), e financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bashkimi Evropian në Kosovë përmes projektit “Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe të komunitetit në Kosovë” i zbatuar nga Artpolis dhe OJQ AKTIV si anëtare të Koalicionit të Kosovës për Pajtim (KCR).

Foto Galeri

0Shares