Aktivitetet Forum Teatri

Shfaqja Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” – Gjakovë

6 Maj, 2019

12.04.2019

Shfaqja Forum Teatër “Stigma – Kërko të drejtën tënde” me datë 12 prill, 2019 u prezantua para publikut të Gjakovës, në teatrin e qytetit “Hadi Shehu”, në ora 13:00.

Publiku gjakovar tregoi nivel të lartë të vetëdijes gjatë debatit pas performancës, duke bërë pyetje e komente që i jepnin plotësisht të drejtë dhe përkrahje të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Zonja Mira (personazhi i performancës) ka gjetur forcën që të kthehet në vendlindjen e saj, në Kosovë, pas 20 viteve, që të njoftohet me familjen e Anës, që është e dashura e djalit të saj, Drenit. E emocionuar dhe me ndjenja të përziera, ajo u përball me një botë të prapambetur dhe paragjykues. E zhgënjyer me mentalitetin e njejtë që mbretëronte në Kosovë, fuqishëm u ballafaqua me Agronin për t’ia bërë me dije që ajo ishte një e mbijetuar e luftës dhe asnjëherë viktimë, gjithmonë kokëlartë e cila nuk do të përulet para njerëzve që gjykojnë.

Performanca e aktorëve me mesazhin që bartnin përbrenda tekstit të tyre, depërtoi thellë në mendjen e të pranishmëve dhe ata thuajse u bënë një trup i përbashkët duke iu kundërpërgjigjur antagonistit të shfaqjes Agronit (aktori Kushtrim Qerimi) për ti dhënë zemër dhe kurajo të rinjve të dashuruar, Drenit dhe Anës (aktorët Gani Rrahmani dhe Qëndresa Kajtazi) si dhe zonjës Mira (aktorja Anisa Ismajli).

Publiku prej 200 personave, përjetuan emocione të papërshkruara dhe kjo u kurorëzua me duartrokitje dhe falenderime në fund të shfaqjes.

Regjisor: Lulzim Bucolli

Moderatore: Zana Hoxha Krasniqi

Aktorë/e: Anisa Ismajli, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi dhe Gani Rrahmani

Shfaqja “Stigma – Kërko të drejtën tënde” u përkrah nga Medica Gjakova.

You may also like