Artpolis

Shfaqja muzikore “ZGJIMI I PRANVERËS” – Premierë e mbyllur

12.06.2020

Me 12 Qershor, 2020 në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës u prezantua premiera e shfaqjes muzikore “Zgjimi i Pranverës”, një bashkëpunim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.

Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjtë tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati, përderisa solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë Kosovare.

Premiera e parë në kohë pandemie me COVID 19 “Zgjimi i Pranverës” rastis të adresojë mungesën e lirisë kolektive në Kosovë. Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.

Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

Produksioni: Teatri Kombëtar i Kosovës & Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis
Autor: Frank Wedekind
Adaptimi & Regjia: Zana Hoxha
Aktorët: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Shpëtim Kastrati, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.
Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi.
Koreografia: Robert Nuha
Kostumegrafia: Yllka Brada
Skenografia: Youliana Voykova – Najman
Inspicient: Bajram Mehemtaj
Asistente: Elira Lluka

Përkrahur nga: cfd, UNFPA, Kvinna till Kvinna



Foto Galeri

0Shares