“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
4-7 Nëntor, 2021
“Gratë e reja që ndërtojnë paqen” është motoja nën të cilën u zhvillua pjesa e dytë e Shkollës Pranverore Feministe 2021, duke mbledhur 18 vajza nga Kosova dhe Serbia nga data 4-7 nëntor 2021.
Nisur nga gjendja e stagnuar e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tensionet e krijuara së fundmi mes dy vendeve dhe ndikimi i madh që ka situata në jetën e përditshme të popullatës së të dy vendeve, si dhe efektin që e gjithë kjo ka në marrëdhëniet e tyre ndëretnike, iniciativat si Shkolla Pranverore Feministe, padyshim që luajnë një rol kyç në ndërtimin e një narrative pa shtrembërime politike në kuadër të tablosë më të madhe të ndërtimit të paqes mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Programi i Shkollës Pranverore Feministe është krijuar në atë mënyrë që përfshin trajnere dhe mysafire aktiviste dhe feministe, nga Kosova dhe Serbia, të cilët prezantojnë punën e tyre para vajzave pjesëmarrëse. Dhe programi i këtij viti nuk ishte përjashtim.
Gjatë katër ditëve të shkollës / seminarit tonë (joformal) që mblodhi së bashku të rejat nga Kosova dhe Serbia, ne trajtuam tema të ndryshme, duke i angazhuar pjesëmarrësit në proceset praktike të të mësuarit dhe duke eksploruar më shumë për veten, të ardhmen e tyre feministe dhe procesin e ndërtimit të paqes.
Nga ‘ligji dhe feminizmi’ tek ‘paqja dhe aktivizmi’ tek ‘drejtësia tranzicionale dhe pajtimi’ tek ‘kontributi i grave në paqe dhe siguri’ tek ‘lëvizja e grave që nga vitet 1990” tek ‘gratë alpiniste që thyejnë tabu’ tek ‘gratë në tryezën e bisedimeve në Kosovë’ ishin temat që pasuruan programin e pjesës së dytë të Shkollës Pranverore Feministe 2021.
Emrat e njohur të aktivisteve dhe përfaqësueseve të institucioneve, përfshirë Nasrin Pourghazian, Ariana Qosaj Mustafa, Valdete Idrizi, Kaltrina Shala, Donika Emini, Igballe Rogova, Mrika Nikçi dhe Jovana Radosavljevic ligjëruan për temat e lartpërmendura.
Krijimi i një mjedisi të sigurt për pjesëmarrëset për t’u shprehur dhe mundësa që ta bëjnë atë në gjuhën e tyre janë ndër parimet thelbësore të Shkollës Pranverore Feministe që sigurisht dolën në pah edhe këtë vit.
Më poshtë do të rendisim disa fjali të shkurtra të përgjigjeve vlerësuese të pyetjes “Cila është ndjenja me të cilën po e mbyllni Shkollën Pranverore Feministe?”:
“E frymëzuar, e fuqizuar dhe e dashur (nga të tjerat).” – Valëza
“Po largohem me më shumë njohuri për rëndësinë e historisë së grave dhe mezi pres të ndaj këtë njohuri.”- Drenueta
“Po largohem nga ky trajnim shumë e motivuar që të punoj edhe më shumë për gratë dhe vajzat.” – Jelena C.
“Nëse ndonjëherë harrojmë se sa të forta dhe të ditura jemi, ose për shkak të rrethanave në të cilat jetojmë ndonjëherë dekurajohemi, mendoj se trajnime si këto na kujtojnë shumë gjëra dhe na japin kurajo për të vazhduar.” – Saranda
Projekti “Gratë e Reja ndërtojnë Paqen në Kosovë dhe Serbi” zbatohet në bashkëpunim mes Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet dhe Qendrës Alternative të Vajzave (AGC), ndërsa mbështetet nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe fondacioni Kvinna till Kvinna.