Shfaqjet Teatrale

“Shpirti” – një udhëtim skenik i shërimit shpirtëror

30 Prill, 2025

30.04.2025

Mund të mos i kujtojmë, por a janë kujtimet që na mungojnë çelësi për të shëruar dhimbjet më të mëdha? Mund të mos i shohim, por a janë jetët e mëparshme pjesë e asaj që jemi sot? “Shpirti”, shfaqja që erdhi premierë më 30 prill, 2025 në Qendrën Barabar në Prishtinë, vë përballë këto pyetje të thella me një qetësi poetike dhe një intensitet emocional që prek rrënjët e qenies njerëzore.

E bazuar në librin “Many Lives, Many Masters” të Dr. Brian Weiss – një psikiatër që sfidoi kufijtë e shkencës tradicionale për të zbuluar rrëfimet e shpirtit përtej kohës – shfaqja e regjisorit Agim Selimi ishte hapësirë reflektuese ku publiku ftohet të udhëtojë bashkë me Katerinën dhe Dr. Brianin, në një rrugëtim që është njëkohësisht shpirtëror dhe terapeutik.

Aktorët Albionë Sahiti dhe Drin Berisha, me një intensitet të përmbajtur, por gjithnjë të ndjeshëm, ndërtuan një dialog mes dy botëve – botës së dukshme dhe asaj që endet përtej logjikës. Sahiti, që portretizoi Katerinën me një ndjeshmëri të hollë, ishte në kërkim të çlirimit nga ankthi dhe depresioni. Ndërsa Berisha, në rolin e Dr. Brianit, mbart një përmbajtje intelektuale që gradualisht thyhet nga ajo që nuk mund të shpjegohet vetëm me shkencë – nga forca e padukshme e shpirtit dhe dashurisë.

Skenografia e thjeshtë dhe minimaliste nga Leonita Krasniqi shërbeu si një kornizë e hapur për imagjinatën dhe ndjeshmërinë. Një hapësirë gati-klinike, por që transformohej lehtësisht në peizazhe të brendshme, në ëndrra dhe kujtime që nuk kanë një vend të caktuar në kohë. Ndriçimi e muzika ndihmuan në krijimin e një atmosfere transhendente – pa e dominuar lojën aktoriale, por duke e mbështetur rrëfimin emocional e lojën e aktorëve.

Në një kohë kur shëndeti mendor vazhdon të mbetet një temë shpesh e stigmatizuar, kjo shfaqje guxon të flasë për të, jo vetëm përmes termave klinikë, por përmes gjuhës së zemrës, të kujtesës dhe të shpirtit. Në një botë të lodhur nga rrëfimet e sipërfaqshme, “Shpirti” rikujton fuqinë e tregimit të vërtetë – atë që guxon të prekë plagët dhe të kërkojë shërim atje ku shpesh nuk guxojmë të shikojmë.

Në fund të kësaj premiere, mbetet jehona e një pyetjeje thelbësore: A jemi më shumë sesa kjo jetë? Dhe përgjigja, ndoshta, fillon aty ku fillon ndjeshmëria jonë – në skenë, në dashuri, dhe në shpresën për një shpirt të shëruar.

Kjo shfaqje është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Frieda.

You may also like