Aktivitetet Iniciativat

Stop Femicidit, “Hope Bubble” shpërfaq shtypjen e përditshme të grave  

7 Dhjetor, 2023

07.12.2023

Sot, më 07.12.2023, i thamë “Stop Femicidit” përmes marshit marshit “Boll Ma” dhe performancës artistike “Hope Bubble”, teksa kërkuam drejtësi për Liridona Ademajn, dhe të gjitha gratë e vrara deri më tani.

“Sot jemi mbledhur këtu për t’i thënë stop femicidit, për t’i thënë stop vrasjes së grave dhe shtypjes së tyre. Sot kërkojmë drejtësi për Liridonën, e për të gjitha gratë e vrara. Kërkojmë dënim maksimal për kriminelët, përkitazi me ligjin”, ka thënë Nertila Qarri-Gërguri, menaxhere e projekteve në Artpolis në deklaratën për media.

Ajo ka shtuar se femicidi është urgjencë kombëtare. Prandaj, është momenti i fundit t’i japim fund femicidit, “është momenti i fundit të sjellim drejtësi, e barazi gjinore. Është momenti i fundit t’i japim fund patriarkatit, e bashkë me të edhe shtypjes”. 

Femicidi, mizogjenia e maskuliniteti toksik vazhdojnë të na terrorizojnë përditshëm. Jeta e grave cenohet çdo ditë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në hapësira publike e private.

E përmes performancës së saj “Hope Bubble”, Donikë Ahmeti ka sjellë përditshmërinë e grave, shtypjen e shumëfishtë dhe sistematike të patriarkatit, që vret çdo ditë gratë.

Altina Binaku, Lavdije Idrizi, Meri Gojani dhe Albionë Sahiti sollën në jetë këtë performancë, mbështetur nga 30 të rinj dhe të reja që ishin pjesë e kësaj performance.

Donikë Ahmeti është shprehur se gratë vriten çdo ditë nga pak prej sistemit patriarkal.

“Gratë vriten për ditë nga patriarkati, çdo ditë duhet të luftojnë, për pak kohë e të kujdesen për veten, që të kujdesen për shëndetin e tyre. Gratë vetëmohohen, dhe sakrifikohen për familjen. Gratë duhet të heqin dorë prej vetes së tyre kur bëhen nëna, sepse duhet t’i përkushtohen jetës familjare. Ky është hapi i parë drejt vdekjes. Ne duhet të ngrihemi çdo ditë të protestojmë për këta përbërës të tragjedisë, në mënyrë që tragjedia të mos ndodhë”, është shprehur ajo.

You may also like