“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
16.03.2019
Trashëgimia kulturore e sidomos ajo jo-materiale është thesar i një vendi apo populli. Por, kjo kulturë pak njihet ndër etnicitetet tjera që jetojnë përbrenda një shteti. Kosova është shumë e pasur me trashëgiminë kulturore jomateriale. Çka e bën edhe më të çmuar janë kulturat e ndryshme të popujve që jetojnë në Kosovë. Ky edhe është qëllimi i projektit “TAKIM DHE NJOFTIM” me zanatlinjtë, që të rinjtë dhe të rejat e Kosovës të njihen me artet dhe artizanatet e grupeve etnike kosovare.
Të rinjtë/rejat nga katër qendrat e Kosovës (Gjakova, Mitrovica e Veriut, Prishtina dhe Gjilani) përbrenda këtij aktiviteti patën mundësinë ti vizitojnë po këto qytete për të kaluar nga një ditë të plotë me zanatlinjtë me qëllim të informimit dhe njoftimit me kulturën, artizanatet dhe trashëgiminë jomateriale të këtyre rajoneve. Ata mësuan gjëra të reja për etnitë endryshme, u njohën dhe u familjarizuan me procesin e prodhimit të artizanateve dhe historisë së tyre.
Vizita e tretë u zhvillua më datë 16 mars 2019 në Gjilan. Pjesëmarrës kanë qenë të rinjtë e moshës 16-25 vjeç nga 4 komunat e lartpërmendura të pasionuar për artin, zanatet dhe punimet e dorës së parë me zanatlinjtë e këtyre komunave, duke filluar prej orës 12:00, në lokalin e z. Erdin Mehmet ku ai prezantoi punën e tij tradicionale të krijimit dhe riparimit të këpucëve, ndërsa znj. Xhevahire Bunjaku prezantoi punën e saj si rrobaqepëse, punëdore dhe bizhuteri dhe në lokalin ”Foto Fari” znj. Muzafere Kqiki tregoi për punën e saj si fotografe. Përveç prezantimit, të rinjtë u përfshinë në procesin e punës të zanatlinjve, me ç’rast gjatë vizitës te z. Erdin Mehmet, ata e provuan procesin e krijimit të një këpuce. Te znj. Xhevahire ishin prezent gjatë krijimit të bizhuterive por edhe provuan disa nga veshjet kombëtare, që ajo i kishte qepur ndërsa znj. Muzafere i çoi nëpër procesin dhe mënyrën e fotografimit me aparat fotografik të viteve të 90-ta.
Vizita në Gjilan i inspiroi këta/këto të rinjë/reja që të mësojnë dhe vlerësojnë diversitetin kulturor të Kosovës. Kështu u shprehën pjesëmarrësit në fund të ditës / vizitës, të cilët bashkë me ekipin e Artpolis diskutuan rreth vizitave, çka iu pëlqeu më shumë, çka mësuan e çka njohën.
“TAKIM DHE NJOFTIM” me zanatlinjtë, promovon artin dhe artizanatet dhe është pjesë e projektit “Promovimi i diversitetit kulturor dhe mirëkuptimi përmes artit dhe përfshirjes së të rinjve” dhe është pjesë e grantit financiar të projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” zbatuar nga UNDP Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Stabilitet dhe Paqe – European Union’s Instrument contributing to Stability and Peace (IcSP).