“Vetëm” me mesazh kundër stigmatizimit shoqëror të grave
23 Dhjetor, 2024
12-15.12.2024
Pjesa e dytë e Shkollës Pranverore Feministe mblodhi 17 gra të reja nga Kosova dhe Serbia në një ambient të sigurt dhe relaksues, në Brezovicë. Të rrethuara nga natyra piktoreske, e mbuluar nga bora e dhjetorit, pjesëmarrëset u takuan nga data 12 deri më 15 dhjetor 2024.
Për katër ditë radhazi, feministet e reja patën mundësinë të dëgjojnë ligjërata të rëndësishme dhe frymëzuese nga aktiviste të njohura të Kosovës. Temat e trajtuara përfshinin përvojat e tyre në aktivizmin feminist në fusha të ndryshme si arti, kultura, të drejtat e njeriut, politika dhe media, me një fokus të veçantë në ndërtimin e paqes.
Historitë dhe përvojat e ndara ishin burim frymëzimi për pjesëmarrëset, duke i inkurajuar ato të luajnë një rol jetësor në angazhimin për paqe, dialog dhe bashkëpunim ndër-etnik e rajonal përmes një qasjeje feministe.
Temat kryesore të ligjëratave përfshinin:
• “Bashkëpunimi dhe lëvizja e grave prej viteve të ’90-ta”, nga Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK);
• “Të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe drejtësia tranzicionale”, nga Jeta Krasniqi, Menaxhere e Projekteve në KDI dhe Anëtare e Komisionit Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Abuzimit Seksual gjatë Luftës;
• “Biba May – Jo Më”, një rrëfim frymëzues për fuqizimin e vajzave me aftësi të kufizuara, nga Resmija Rahman, e njohur si Biba May, aktiviste feministe;
• “Thyerja e stereotipeve: Fuqizimi i grave në media dhe demaskimi i lajmeve të rreme”, nga Jeta Xharra, Gazetare dhe Drejtore Ekzekutive e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN);
• “Gratë në politikë – sfidat dhe rezistenca”, nga Valdete Idrizi, aktiviste feministe, dhe Sibel Halimi, Drejtore e Kulturës në Komunën e Prishtinës;
• “Përmes artit dhe aktivizmit – në promovimin e ndërtimit të paqes, diversitetit dhe barazisë gjinore”, nga Zana Hoxha, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis & FemArt, artiste dhe aktiviste.
Pjesëmarrëset ndoqën me entuziazëm të gjitha ligjëratat, duke u përfshirë në diskutime dhe debate për të ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre.
Shkolla Pranverore Feministe, pjesa e dytë, u organizua nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis/Kosovë dhe Qendra Alternative për Vajza/Serbi, me përkrahjen e Kvinna till Kvinna dhe Global Fund.