Aktivitetet Forum Teatri

Themelohet Klubi Teatror në Klinë

6 Tetor, 2023

06.10.2023

Më 6 tetor, 2023 Artpolis ka themeluar Klubin Teatror në Klinë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet lokale, përfshirë këtu Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë e Arsimit, Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, dhe Gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, si dhe organizata të shoqërisë civile në këtë qytet.

Klubi Teatror në Klinë mentorohet nga aktorët e Ansamblit të Artpolis, Shpëtim Selmani, Qendresa Kajtazi, Labinot Raci, dhe Robert Nuha, të cilët do të punojnë për më shumë se dy muaj deri te finalizimi i procesit – prezantimi i shfaqjes forum teatër.

Gjatë këtij procesi krijues të rinjtë dhe të rejat do të kenë mundësi të mësojnë mbi artin skenik,  krijimin e personazhit, artin e regjisë, dhe magjinë e aktrimit. Mbi të gjitha do të mësojnë se teatri nuk është thjesht një grumbullim i fjalëve dhe lëvizjeve, por një pasqyrim i shpirtit njerëzor dhe i dilemave të jetës. Teatri është një shkollë për të menduar, për të ndier, dhe për të ndryshuar.

Pas prezantimit të shfaqjes forum teatri do t’i japë fuqinë audiencës të hyjë në ndërveprim me personazhet. Forum teatri ndez flakët e diskutimit, ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve për probleme sociale dhe shton ndërgjegjësimin. Është një mënyrë për të na kujtuar që fuqia e ndryshimeve pozitive është në duart tona, sado i vogël veprimi.

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis dhe mbështetet nga cfd, MKRS, Fondacioni Joseph Handleman “I Believe in You”, dhe Komuna e Klinës.

You may also like