![](https://artpolis-ks.com/wp-content/uploads/2025/02/472132280_1006674078144174_1506156709969337266_n.jpg)
Shfaqja “Vojçek” me regji të Zana Hoxhës së shpejti me…
15 Janar, 2025
Aktivizëm Panelet e Diskutimit Shfaqjet Teatrale
28 Dhjetor, 2024
27.12.2024
Më 27 dhjetor 2024, në mjediset e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë, një zë i fuqishëm u ngrit kundër heshtjes dhe tabuve.
“Monologjet e Vaginës”, leximi skenik i bazuar në tekstin ikonik të Eve Ensler dhe me regji të Zana Hoxhës, solli në qendër të vëmendjes histori të grave që sfidojnë censurën dhe dezinformimin në një shoqëri ku edukimi seksual vazhdon të jetë një temë tabu.
Përmes performancave të jashtëzakonshme të aktoreve Ilire Vinca, Sheqerie Buqaj, Qendresa Kajtazi, Xhejlane Tërbunja, Zana Berisha dhe Blerta Gubetini, publiku dëgjoi rrëfime të guximshme që shkojnë përtej margjinalizimit dhe stigmatizimit. Çdo monolog ishte një akt emancipimi, një thirrje për të reflektuar mbi lirinë e trupit dhe fuqinë e fjalës.
Ky aktivitet, i organizuar nga Artpolis me mbështetjen e UNFPA-së, nuk ishte vetëm një ngjarje kulturore. Ishte një përpjekje për të krijuar një hapësirë ku të pathënat të dëgjoheshin dhe ku edukimi seksual të trajtohej si një çështje thelbësore për një shoqëri të shëndetshme. Në diskutimin që pasoi, udhëhequr nga regjisorja Zana Hoxha dhe me panelistet Mirishahe Syla dhe Adelina Berisha, u artikuluan sfidat e grave në Kosovë, veçanërisht në sfondin e rritjes së lëvizjeve anti-feministe. Panelistet theksuan rrezikun e rikthimit të normave represive dhe rëndësinë e një aktivizmi të zëshëm dhe të koordinuar.
Leximi skenik ishte një reflektim mbi raportin e shoqërisë me trupin e gruas – jo vetëm si një entitet fizik, por si simbol i rezistencës dhe pavarësisë. Në një kohë kur trupi i gruas vazhdon të jetë terren luftërash ideologjike dhe politike, ky tekst na kujton se fuqia e fjalës është një mjet thelbësor për çlirim. “Monologjet e Vaginës” u bë një pasqyrë e brishtë dhe e fuqishme e dhimbjeve dhe triumfeve, duke na shtyrë të reflektojmë mbi rolin tonë në angazhimin për barazi e drejtësi.
Në thelb, kjo ngjarje ishte një akt solidariteti – duke na kujtuar se stigma dhe heshtja mund të thyhen. “Monologjet e Vaginës” shërbyen si një përvojë transformuese, një kujtesë e fortë se të flasësh është akt guximi dhe lirie.
Ky aktivitet u organizua nga Artpolis me mbështetje të UNFPA-së.
Selvianë Hysenaj