Artpolis

“Totem dhe Tabu”, pasqyrim i realitetit kosovar dhe kontradiktave të tij

21.07.2021

Perdet u ngritën, aktoret e aktorët shfaqen në skenë si totem, me veshje sa tradicionale aq edhe moderne. Ata nuk nxitojnë ta marrin publikun me vete, sikur duan t’ia matin pulsin se a është i gatshëm të marrë goditjet nga temat që shtjellojnë.

Emrat janë të parëndësishëm në këtë shfaqje dansi, ata përhumben në dukuritë që aktorët me mjeshtëri e guxim i sjellin në skenë, si Totem që vështirë thyhet, e të cilin ka zëra që e luftojnë përmes temave tabu.

Pritja nuk zgjat shumë, tashme yjtë e skenës janë të gatshëm të shpërfaqin kontradiktat e realitetit kosovar, për t’i dhënë një tronditje shpirtërore e emocionale publikut, si një akt trandje për përgjegjësinë publike që kemi edhe në teatrin e jetës, e zërin që duhet ngritur ndaj shtypjes e padrejtësisë, jo vetëm patriarkale.

Publiku njoftohet tani edhe me jetën e natës dhe abuzimin me droga të të rinjve, të cilëve jeta u ka dalë nga duart e është një fuqi më e madhe që ushtron kontrollin mbi ta.

Shfaqja bëhet edhe më dramatike kur pasqyrat hyjnë në skenë si një reflektim i realitetit që ka goditur personazhet, të cilët tentojnë të shohin përtej pasqyrave. Një ndërthurje e bukur e personazheve me pasqyrat që e rrëmben edhe publikun nga përthyerja e dritës.

Monologjet e dialogjet përmbushin koreografinë e “Totem dhe Tabu”. Përmes tyre tani aktorët u japin zë shqetësimeve të tyre, për t’i dhënë emocione të përziera publikut. Së pari përmes një monologu të “Sindromit të Piter Panit”, një burrë që e ka të vështirë të pranojë realitetin e moshës së tij, e nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësitë që i takojnë.

“…Diqysh fjala burrë kërkon shumë përgjegjësi. Unë kurrë skam dashtë me i plotësu krejt qato kërkesa absurde që të tjerët i kanë pas prej meje…”, thotë një 39 vjeçar që sillet si adoleshent, e marrëdhëniet me gratë nuk arrin t’i shndërrojë në lidhje përkundër “dashurisë së madhe për to”.

“Gratë s’vyjnë sen hiq”, është komenti që ndryshon skenën, e krijon përplasje ndërmjet personazheve në çifte, që kanë dallime të mëdha ndërmjet tyre. Një skenë sa komike aq edhe dramatike me rrahjen ndërmjet çifteve.

Paraqitja në skenë e “moderatores së lajmeve” për dhunën e përditshme ndaj grave sikur shkund publikun, për t’ia prishur rehatinë nga ato që u dëgjojnë veshët. Nga gjendja e shokut publiku tani dërgohet në realitetin e vështirë të krijuar nga pandemia, dhe jo vetëm. Të kthyer me shpinë nga publiku aktorët/et nderojnë të gjitha viktimat e pandemisë, por edhe dëshmorët e viktimat e dhunës në familje duke bërë një interpretim të jashtëzakonshëm të “Kosovës ç’i panë sytë”, një heshtje që kaplon secilin e vetëm të rrahurat e zemrës së tyre i dëgjojnë, për t’i kujtuar ata/ato që dikur jetonin përkrah tyre.  

Pas kësaj skene tani është momenti që të gjallët ta gëzojnë jetën, me aktoret dhe aktorët që nën muzikën ritmike e vallëzimin me pasqyre ringjallin atmosferën në teatër, megjithatë drama nuk mungon, pasi këtu krijohet një ndarje mes burrave e grave, me këto të fundit që nuk bëjnë kompromis me lirinë e tyre, që pas kësaj largohen nga skena triumfale, me burrat që mbesin në skenë për të luajtur një ndër pjesët që kërkon përgatitje të lartë fizike, për të vazhduar sërish me një nga monologjet. Një burrë që dëshiron të bëhet baba me çdo kusht, e me çdo kusht dëshiron të ketë djalë, një shpërfaqje e një burri tipik patriarkal që përmbushet vetëm nga dallimi i organit gjenital të fëmijës.

Pas kësaj skene publiku njoftohet me duetin e dashurisë dhe dhimbjes, një ndërthurje e traumave, dashurisë, kujtimeve, dhunimeve, vetminë e mallin për më të dashurit. Një skenë që përfundon me gjetjen e njëri-tjetrit “…buzëqeshja jote ma nxehë zemrën e plagosur dhe i mundëson dhimbjes të lirohet”.

Pasqyrat, një element me rëndësi të veçantë në këtë shfaqje, rikthehen sërish në skenë me personazhet që sjellin një energji pozitive nën tingujt e muzikës ritmike, për të vazhduar me një monolog tronditës të realitetit të grave.  

E vendosur përballë një pasqyre dhe e ngulfatur nga dhimbjet, por që përkundër kësaj arrinë të ecë tutje, nuk dorëzohet “krejt ia nisi me atë ndjenjën e pështjellimit në bark, e di, atë që të duket sikur diçka e bukur do të ndodhë por që në fakt të është përzier me diçka tjetër, sikur atyre herave kur e ndieje vëzhgimin e predatorëve në rrugë, kur arsimtarit i shkojnë jargët gojës gjersa t’i po përgjigjesh për revolucionin francez në lëndën e historisë ose kur shitësi i marketit të lagjes të shikon duke nënqeshur me dhëmbët e prishur kur ia kërkon një pecetë higjienike edhe pse i ke 13 vjet…”. Kjo është vetëm një pjesë e vogël të asaj se me çfarë përballen gratë në përditshmëri, nën petkun e patriarkatit; dhunime, ngacmime, fyerje, pasiguri, frikë e çka jo tjetër.

Gruaja përballet me unin e saj, shtron pyetje por pa përgjigje, madje as reflektimin e saj nuk e sheh në pasqyra, ato janë të kthyera mbrapsht. Pas një lufte të gjatë psikologjike ajo arrinë të gjejë veten, sheh realitetin në pasqyrat dhe i thotë të vërtetat që s’i dinte, zëri i saj është i qetë, frika tani është vetëm iluzion… “si është e mundur që tërë jetën të kem qenë e rrethuar me simptoma të tilla të burgosjes nga dashuria dhe nuk kam arritur t’i njoh, t’i identifikoj, t’i trajtoj por edhe t’i largoj?…”

Shfaqja vazhdon edhe me vajzat e tjera që hyjnë në skenë, duke shprehur secila prej tyre se si duan që të trajtohen, çfarë është për to liria e si duan të jetojnë.

Atyre në skenë iu bashkohen edhe burrat, me ç’rast nis një përplasje ndërmjet tyre, jo vetëm burrë-grua, por edhe grua me grua e burrë me burrë, një përplasje që duket se do të vazhdojë përjetësisht, e dialogu kulmon me pjesën e një zakoni të odës së burrave, “kish pas thonë njoni…” thotë një burrë, por të tjerët i hedhin nga një cigare “… ooo dheze njo…” për të mos e lejuar t’i dalë në pah patriarkati, derisa më në fund dorëzohet “…Ooo kish pas thonë njona…”.

Foto Galeri

0Shares