Artpolis

“Totem dhe Tabu” prezantohet me sukses edhe në Zagreb

25.11.2021

“Ditët e Kulturës Shqiptare në Kroaci” kanë vazhduar me aktivitete kulturore e artistike edhe më 25 nëntor në qytetin e Zagrebit.

Pas premierës në Pula shfaqja dans teatër “Totem dhe Tabu”, me regji e koreografi të Robert Nuhës dhe dramaturgji të Zana Hoxhës, u prezantua edhe në kryeqytetin kroat.

Organizuar dhe mbështetur nga Unioni Shqiptar në Republikën e Kroacisë “Totem dhe Tabu” u prezantua në Teatrin “Vidra”, ku edhe u prit me entuziazëm e ngrohtësi Trupa Artistike e Artpolis.

Përmes lëvizjeve të trupit aktorët depërtojnë tek publiku në formë imazhi, duke i lënë të përcaktojë udhëtimin imagjinar që dëshiron ta ndjekë. E përmes tekstit minimal abstraktja bëhet e prekshme, ngjarjet kthjellohen dhe e godasin publikun me temat tabu që zënë ende vend në shoqërinë tonë. Llojllojshmëria e temave, kalimi mjeshtëror nga skena në skenë, e loja e bukur e aktorëve e ngulitin “Totem dhe Tabu” thellë në kujtesën e publikut.

Pas dy prezantimeve të suksesshme në Kroaci “Totem dhe Tabu” do të zbresë sërish në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më 4 dhjetor në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës në baza Gjinore”.

Foto Galeri

0Shares