Artpolis

Trajnimi i Programit të Forum Teatrit i bashkoi të rinjtë/rejat e komuniteteve të Kosovës

26.02 – 01.03.2021

Në Prizrenin e bukur, u mblodhën vajza e djem të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, për të marrë pjesë në trajnimin katër ditor “Edukimi i bazuar në teatër”. Moti i bukur dhe me diell i shtyu organizatorët e trajnimit që ti modifikojnë ushtrimet dhe ta vërshojnë skenën e Kalasë së Prizrenit. Pastaj, trajnerët Zana Hoxha dhe Edlir Gashi vazhduan me agjendën, duke zhvilluar ushtrime dhe improvizime të skenave të teatrit, mbi temat e diskutuara sociale me fokus në bashkëjetesën multietnike.

E veçanta e këtij trajnimi ishte punëtoria me maska që ishte një relaksim por njëkohësisht një shtytje për zhvillim të kreativitetit. Maskat u bënë pjesë e shfaqjeve. Risia e trajnimit ishte loja me lëvizjet e trupit, e udhëhequr nga koreografi Robert Nuha, e cila po ashtu ndihmoi në performancën e pjesëmarrësve.

“Çka e dallon këtë punëtori dhe grup prej të tjerëve, është se  unë këtu nuk kam parë asnjë lloj paragjykimi diçka që kam hasë në punëtori të tjera. E ajo që ishte karakteristike, të gjithë kemi bërë përpjekje që të kuptohemi mes vete, duke qenë se nuk flasim të njëjtën gjuhë, dhe kjo është përshtypja ime më e fortë dhe më pozitive për këtë trajnim” – thotë pjesëmarrësja e trajnimit nga Mitrovica e Veriut, Djurdjica Kaziq.

Trajnimi 4 ditor “Edukimi i Bazuar në Teatër” u mbajt në Prizren, organizuar nga anëtarët e Koalicionit të Kosovës për Pajtim, Artpolis dhe NGO Aktiv.

Të gjitha aktivitetet u kryen në përputhje me rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Foto Galeri

0Shares