Forum Teatri

Vajzat sfidojnë normat shoqërore përmes “Andrra e Një Nate Vere”

25 Prill, 2025

24.04.2025

Shfaqja “Andrra e Një Nate Vere”, e bazuar në dramën klasike të William Shakespeare, u jetësua nga vajzat e Klubit Teatror në Pejë, më 24 prill, 2025 në Kino “Jusuf Gërvalla”.

E realizuar në një version modern, një ndërthurje e komedisë, dramës e parodisë “Andrra e Një Nate Vere” sfidoi guximshëm normat shoqërore të mbivendosura nga sistemi patriarkal që e kanë formësuar jetën tonë, me theks të veçantë – dominimin e burrave.

Kjo shfaqje ndërthurte me humor dhe ironi të mprehtë dhunën, padrejtësitë dhe kontrollin që ju ushtrohet grave, duke ofruar një kritikë të thellë të një shoqërie që ende kërkon të ruajë pozitat patriarkale. Gratë në këtë shfaqje nuk ishin vetëm figura pasive, por aktive që sfidonin realitetin e tyre të thyer dhe kërkonin të rimerrnin lirinë e munguar. Shfaqja bënte thirrje për një reflektim të thellë rreth ndihmës që mund të ofronte dashuria dhe solidariteti mes grave në përballjen me këto sfida, duke hapur një debat të guximshëm rreth maskulinitetit toksik, shfrytëzimit të grave dhe keqpërdorimit të teknologjisë, sidomos rrjeteve sociale si TikTok, për të ushtruar ndikim dhe kontroll mbi to.

Pas shfaqjes, një diskutim i pasur me publikun theksoi se çfarë ndodhte kur gratë merrnin skenën dhe si kjo mund të shndërrohej në një akt revolte. Për më shumë se 180 persona që ishin të pranishëm, shfaqja ofroi mundësinë për një dialog të hapur dhe kritik rreth dinamizmit shoqëror dhe rolit të grave në të. Publiku ishte i ftuar të mendonte se si shoqëria mund të ndryshonte përmes artit, një narrative që mund të dëshmonte fuqinë e gruas dhe nevojën për të kërkuar barazi dhe drejtësi.

“Andrra e Një Nate Vere” ishte një thirrje për vetëdijesim, përmes përdorimit të humorit dhe parodisë si armë për të sfiduar realitetin. Ajo shprehu fuqinë e gruas, por edhe dëshirën për të krijuar një shoqëri të drejtë ku kontrolli dhe dhuna nuk do të ishin më pjesë e jetës së tyre.

Shfaqja u jetësua nga Dea Mehmetaj, Elma Smaka, Erijona Dervishaj, Erjona Kurtaj, Erza Bërdynaj, Fiona Mehmetaj, Klea Emiri, Orgesa Haxhijaj, Rineta Morina, Vesa Kastrati, të cilat janë mentoruar nga Fitore Broqi dhe Ismail Kasumi.

Dea Mehmetaj, ka thënë se kjo përvojë me Klubin Teatror i ka ndihmuar me e larguar stresin e me dal në skenë.

“Unë kam pasur emocione që nga fillimi, por kjo më ka ndihmuar t’i heq emocionet. Tash mund të dal në skenë, dhe nëse bëj ndonjë gabim, si aktor duhet të dalësh nga situata. Jo vetëm në teatër, por edhe në jetën reale – nëse je duke bërë një gabim, nuk duhet të ndalesh, por të vazhdosh dhe ta përmirësosh”, ka thënë Mehmetaj, pjesëmarrëse në Klubin Teatror në Pejë.

Erijona Dervishaj pati një mesazh të fuqishëm për rolin transformues të teatrit dhe artit, që  tejkalon individin dhe flet për përgjegjësinë kolektive.

“Kjo që kemi bërë nuk është vetëm për veten tonë, por edhe për të tjerët. Është ndryshe kur e themi diçka, dhe ndryshe kur e veprojmë dhe e përjetojmë. Kjo është diçka shumë e fuqishme dhe duhet t’iu dedikohet të gjithëve”, ka thënë ajo.

Kjo aktivitet u organizua nga Artpolis në bashkëpunim të ngushtë me Gjimnazin “Bedri Pejani”, mbështetur nga Frieda, Ministria e Kulturës, Kino “Jusuf Gërvalla” dhe Komuna e Pejës.

You may also like