“Vetëm” me mesazh kundër stigmatizimit shoqëror të grave
23 Dhjetor, 2024
20.12.2024
Më 20 dhjetor, 2024 Klubi Teatror në Prishtinë ka prezantuar shfaqjen forum teatër “Vetëm” në hapësirat e SHFMU “Xhemail Mustafa”.
“Vetëm” përcolli mesazhe të fuqishme kundrejt paragjykimit të grave, duke vënë në pah diskriminimin gjinor e sfidat me të cilat gratë përballen në shoqërinë tonë.
Në qendër të tregimit ishte historia e një gruaje e cila, në kërkim të një të ardhme më të mirë për familjen e saj, merr vendimin e guximshëm për të shkuar në Gjermani, duke e lënë bashkëshortin të përkujdeset për fëmijët. Kjo shfaqje vuri në pah stigmatizimin gjinor e standardet e dyfishta gjinore të patriarkatit, duke nxitur debat me audiencën.
Arrita Cikaqi, pjesëmarrëse në Klubin Teatror të Prishtinës, ka thënë se ka kaluar shumë mirë gjatë procesit të krijimit të shfaqjes.
“Për aktrim kam mësuar shumë, disa njohuri që nuk i kam pasur të njohura, që uroj të më ndihmojnë në jetë me i ndjekë ëndrrat”, ka thënë Cikaqi, teksa për mesazhin e shfaqjes ka thënë se shoqëria nuk duhet të ketë paragjykime të tilla ndaj grave.
“Një traditë që ne e kemi është që vetëm burrat me shku jashtë vendit, e mesazhi ka qenë që mundet edhe gruaja me shku e mos me pas paragjykime të panevojshme. Paragjykimet më bëjnë të ndihem shumë keq, janë shumë të ashpra në këtë rast, e që nuk duhet të jenë fare, e po besoj që kjo mundet me i ndihmuar publikut me e marrë këtë mesazh e me ndryshu pak”, është shprehur ajo.
Nga kjo përvojë me Klubin Teatror në Prishtinë është shprehur e kënaqur edhe pjesëmarrësja, Stina Sheremeti, e cila është shprehur se, “prej Klubi Teatror kam mësuar shumë gjëra, por më së shumti e kam mësuar si të respektojmë njëri-tjetrin, më është zhvilluar kreativiteti dhe kam marrë njohuri të ndryshme të cilat nuk i kam ditur më herët. Gjithashtu, e kam mposhtur frikën për me fol para publikut”.
Ari Gosalci, pjesëmarrës i Klubit Teatror të Prishtinës, është shprehur se kanë dhënë më të mirën e tyre për të vënë në skenë një temë të rëndë për t’u trajtuar.
“E falënderoj Artpolisin për bashkëpunimin. Jam shumë i lumtur që kemi arritur këtu (ta prezantojmë shfaqjen), pasi kemi bërë trajnimin dhe kemi mësuar gjëra të ndryshme se si të sillemi, disiplinën si dhe për shfaqjen teatrore që e kemi bërë. Edhe pse shfaqja ka pasur një temë më të rëndë, ne kemi mësuar dhe e kemi dhënë më të mirën tonë për atë temë. Ka qenë trajnim argëtues, kemi kaluar kohë me shokë të ndryshëm edhe kemi mësuar si të bashkëpunojmë”, është shprehur Gosalci, teksa ka shtuar se temat e tilla janë të rëndësishme që të trajtohen në mënyrë që të mos ketë paragjykime ndaj grave.
“Kjo temë është diçka që ndodhë në jetën e përditshme, dhe shpeshherë gruaja nuk lejohet të shkohet jashtë vendit që të punojë, sepse ajo duhet me i kry punët, me qëndru në shtëpi. Këto nuk janë të vërteta dhe shoqëria duhet me qenë më ndryshe. Përmes kësaj teme kemi dashur të përcjellim një mesazh që nuk duhet vetëm burri të punojë apo të shkojë në shtete të ndryshme, por mundet edhe gruaja t’i bëjë këto dhe nuk duhet ta paragjikojmë”, ka thënë ai.
Shfaqja “Vetëm” u inskenua nga Ameli Kabashi, Arba Ahmetaj, Ari Gosalci, Arrita Cikaqi, Erda Gashi, Hana Rexha, Kea Morina, Lum Morina, Mali Buza, Morea Kastrati, Rajana Osmani dhe Stina Sheremeti.
Të rinjtë dhe të rejat e Klubit Teatror në Prishtinë u mentoruan nga Qendresa Kajtazi dhe Labinot Raci.
Ky aktivitet u realizua nga Artpolis me mbështetje të Frieda, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës, si dhe SHFMU “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.