Punëtoritë

Gazetarët/et e rinj/reja thellojnë njohuritë e tyre mbi raportimin e ndjeshëm gjinor

8 Qershor, 2024

07-08.06.2024

Më 7 dhe 8 qershor, 2024 gazetar/e të rinj/reja kishin mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre për raportimin e ndjeshëm gjinor përmes trajnimit “Trajnimi me gazetare/ë për një raportim të drejtë dhe feminist”.

Për dy ditë me radhë në Qendrën Barabar, në Prishtinë, trajnimi u drejtua nga ligjëruesit; Ejronë Popova dhe Kreshnik Gashi, të cilët nxitën diskutime të shumta mbi raportimin e ndjeshëm gjinor, teksa ofronin shembuj konkretë se si duhet të bëhet raportimi i drejtë gjinor, e gabimet që duhet shmangur.

Përveç kësaj pjesëmarrësit patën rastin të mësojnë për termet feministe, rëndësinë e gjuhës së përdorur në raportimin mediatik dhe ndikimi në shoqëri, përgjegjësia dhe ndikimi i mediave në trajtimin e çështjeve të ndjeshme si vrasjet, përdhunimet dhe ngacmimet e sulmet seksuale.

Poashtu, trajnerët u thelluan në burimet e dezinformatave për çështje gjinore dhe narrativat dezinformuese veçanërisht ndaj komunitetit LGBTQI+, shmangien e gjuhës së urrejtjes ndaj grave, por mbi të gjitha në fokusimin e promovimit të barazisë gjinore.

Sipas gazetares, Gonxhe Konjufca, pjesëmarrëse në këtë trajnim, raportimi i ndjeshëm gjinor është thelbësor në gazetari pasi siguron që përvojat, perspektivat dhe sfidat e të gjitha gjinive të përfaqësohen me saktësi, dhe ky trajnim ka qenë i një rëndësie të veçantë.

“Të qenit i ndjeshëm në lidhje me barazinë gjinore në raportim ndihmon për të theksuar pabarazitë dhe për të avokuar për zgjidhje gjithëpërfshirëse. Poashtu siguron një kuptim më të thellë të çështjeve të tilla si padrejtësitë  në sektorin e pagave, qasja në arsim dhe përfaqësimi në sektorë të ndryshëm.  Gjatë trajnimit të organizuar nga “Artpolis”, fitova njohuri të vlefshme për rëndësinë e përdorimit të gjuhës gjithëpërfshirëse, shmangien e stereotipeve dhe sigurimin që të gjithë zërat të dëgjohen. Ky trajnim më ka pajisur me njohuri shtesë për të raportuar më me përgjegjësi dhe për të kontribuuar në një raportim më të drejtë”, është shprehur Konjufca.

Kurse për gazetarin Gent Mehmeti, pjesëmarrës në trajnim, iniciativat për ngritjen e vetëdijës për raportim të ndjeshëm gjinor janë të domosdoshme, veçanërisht në një shoqëri patriarkale e rritjen e madhe të përdorimit të rrjeteve sociale.

“Qasja e shpejtë në rrjete sociale ka mundësuar që çdokush të raportojë për raste të ndjeshme gjinore, duke mos respektuar standardet më të thjeshta të raportimit. Nga kjo shtrirje e madhe e rrjeteve sociale kanë rënë pre edhe mediat, në përpjekjet e tyre që dukshmëria e tyre të jetë më e madhe. Fatmirësisht ka një fushatë të mirë për raportim të ndjeshëm gjinor dhe kjo po bëhet edhe nëpërmjet trajnimeve të gazetarëve dhe aktivistëve që merren me raportime të tilla. Gjatë dy ditëvë trajnimi patëm mundësi që të mësojmë edhe për format e raportimit të rasteve të ndjeshme gjinore, duke përdorur termat adekuat për viktimat dhe të dyshuarit”, ka thënë Mehmeti.

Ky trajnim është organizuar nga Artpolis, mbështetur dhe financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Kosovë.

You may also like