Shfaqja “Nga Zero”, reflektim dhe shpresë për të rinjtë në…
12 Maj, 2026

07.05.2026
Më 7 maj, në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë, Klubi Teatror shpalosi premierën e shfaqjes forum-teatër “Reflektim”.
Kjo shfaqje forum teatër ishte një pasqyrë e ashpër por e nevojshme e realitetit që shpesh zgjedhim ta injorojmë: dhuna fizike mes adoleshentëve në shkolla.
Përmes situatave të tensionuara dhe konflikteve mes të rinjve, shfaqja shtroi pyetjen themelore: kush mban përgjegjësi – familja, shkolla apo shoqëria? Asnjë përgjigje nuk ishte e plotë. Secili faktor u paraqit me rolin dhe ndikimin e vet, duke ndërtuar një të vërtetë të pakëndshme: dhuna nuk lind nga një burim i vetëm, por nga shkëputja mes të gjitha hallkave që duhet të mbronin fëmijën.
Ajo që e bëri këtë shfaqje të veçantë ishte forma e forum-teatrit, që nxiti debat ndërmjet personazheve dhe publikut.
Për të rinjtë që luajtën – Anea Fazliu, Anisa Selmani, Anisa Zeqiri, Ariona Salihu, Diona Muqolli, Dorina Jashari, Elita Rrahmani, Enesa Abdullahu, Erina Bajrami, Erisa Hasani, Florent Mehmeti, Lend Përvetica, Luiza Maloku, Ornela Hasani dhe Rinesa Musa, të cilët u mentoruan nga Edlir Gashi dhe Qendresa Kajtazi – procesi ishte më shumë se një trajnim për skenë. Ata fituan aftësi jetësore thelbësore.
Pjesëmarrësja e Klubit Teatror në Podujevë, është shprehur se procesi i krijimit të shfaqjes ka ndikuar pozitivisht në rritjen e vetbesimit.
Kurse Luiza Maloku thekson rëndësinë e të shprehurit pa frikë dhe pa u gjykuar: “Kemi qenë gjithmonë të lirë të flasim, të shprehemi, asnjëherë nuk jam ndjerë më pak se dikush tjetër”.
Ariona Salihu shtoi se aktrimi ishte ëndërr e fëmijërisë: “Aktrimi ka qenë një prej gjërave që e kam pasur ëndërr që nga fëmijëria”.
“Reflektim” ishte një thirrje për t’u parë në sy njëri-tjetrit dhe për të pranuar se të gjithë jemi përgjegjës.
Të rinjtë e Podujevës, me mbështetjen e Artpolis, Komunës së Podujevës, Teatrit “Avdush Hasani”, Frieda dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, hapën një derë ku reflektimi personal takohet me përgjegjësinë kolektive.




































