“Kabare 1999”, me reprizën e radhës në Teatrin e Gjilanit
26 Maj, 2026

25.05.2026
Artpolis zhvilloi takim avokues me përfaqësues të organizatave studentore dhe Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të angazhimit për avancimin e zbatimit të Rregullores për Parandalimin e Ngacmimeve Seksuale dhe Ngacmimeve në UP.
Në takim morën pjesë Venera Ismaili dhe Drilona Hamiti nga Artpolis, Dr. Ariana Qosaj-Mustafa, eksperte në politikat publike, sundimin e ligjit dhe barazinë gjinore, Melisa Kadolli nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përfaqesues të organizatave studentore Reforma dhe Studim Kritik Veprim, si dhe anëtarë të Parlamentit Studentor.
Gjatë diskutimit u prezantua puna shumëvjeçare e Artpolis në fushën e parandalimit të ngacmimeve seksuale në UP, duke rikujtuar procesin e hartimit të Rregullores në vitin 2021, sfidat që kanë përcjellë zbatimin e saj, si dhe nevojën urgjente për avancim të mekanizmave mbrojtës për studentët/et.
Fokus i takimit ishin disa prioritete konkrete që synohen të shtyhen përpara deri në fillim të vitit të ri akademik 2026–2027:
· Përmirësimi i mekanizmave raportues për ngacmime seksuale;
· Promovimi i rregullores dhe informimi më i madh i studenteve/ëve;
· Fuqizimi i studenteve/ëve për raportim.
Përfaqësuesit studentorë shprehën mbështetje të plotë për bashkëpunim dhe u zotuan që ta shtyjnë përpara në Senat propozimin që informacioni për ngacmimet seksuale dhe mekanizmat raportues të përfshihet në kontratat e studentëve.
Artpolis mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave mbrojtës dhe nxitjen e përgjegjësisë institucionale, me qëllim që Universiteti të jetë një hapësirë e sigurt, gjithëpërfshirëse dhe dinjitoze për çdo student/e.




