Vizitat

Artpolis mirëpret studentet nga EMA dhe VMAAHR

27 Janar, 2025

25.01.2025

Më 25 janar 2025, Artpolis pati kënaqësinë të mirëpresë 25 studente nga programet prestigjioze EMA (European Master’s in Human Rights and Democratisation nga Venecia) dhe VMAAHR (Vienna Master of Arts in Applied Human Rights nga Austria) në zyrat e saj. Vizita u organizua për të ndarë përvojën dhe angazhimin e organizatës në artin dhe aktivizmin feminist.

Menaxherja e projekteve, Venera Ismaili, dhe koordinatori i projekteve, Berat Bajrami, ofruan një pasqyrë të gjerë mbi misionin e Artpolis, duke përfshirë qasjen e saj novatore në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin shoqëror përmes artit. Ata shpjeguan se si organizata ka arritur të sfidojë paragjykimet dhe stereotipet gjinore, duke përdorur teatrin, punëtoritë dhe projekte të tjera artistike si mjete për ndryshim shoqëror dhe edukim.

Gjatë takimit, u diskutuan edhe sfidat me të cilat Artpolis është përballur në rrugëtimin e saj, si dhe format e bashkëpunimit me komunitetet lokale dhe ndërkombëtare. Pjesë të veçanta të bisedës ishin roli i artit në adresimin e çështjeve të ndjeshme sociale dhe organizimi i Festivalit FemArt, një platformë unike që promovon barazinë dhe të drejtat e grave përmes artit dhe aktivizmit.

Studentët patën mundësinë të shkëmbejnë ide dhe të diskutojnë mbi mënyrat se si artet mund të fuqizojnë komunitetet dhe të promovojnë drejtësinë sociale. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse ndërmjet brezave të rinj dhe përvojës së Artpolis, duke përforcuar mesazhin se arti mbetet një mjet i fuqishëm për ndryshime pozitive dhe ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe paqësore.

You may also like