“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
23.05.2024
Të rinjtë dhe të rejat e Klubit Teatror në Shtime të enjten, më 23 maj, 2024 kanë dhënë premierën e shfaqjes forum teatër “Çka je ti…?!”, duke sfiduar stereotipet gjinore e bullizmin.
“Çka je ti…?!”, ishte një eksplorim i thellë identitetit individual dhe lirisë, por mbi të gjitha shpërfaqje e sfidave për të qenë vetvetja kundrejt pritshmërive të shoqërisë.
Kjo shfaqje ishte një pasqyrë për të reflektuar mbi normat e ngulitura shoqërore dhe bëri thirrje për një transformim të thellë të mendësisë. Ishte një ftesë për të eksploruar lirinë tonë individuale, për të sfiduar kufizimet që na imponohen dhe për të gjetur një balancë mes identitetit tonë unik dhe pritshmërive kolektive.
Pas shfaqjes audienca u bë pjesë e shfaqjes, duke u inkuadruar në diskutim me personazhet rreth temës së trajtuar.
Leonora Hyseni, pjesëmarrëse në Klubin Teatror të Shtimes, ka treguar përvojën e saj me Artpolis dhe rëndësisë së temës së trajtuar në shfaqje.
“Gjatë gjithë kohës me Artpolisin kam kaluar shumë mirë, edhe me trajneret jam shumë e kënaqur, poashtu edhe me koleget/ët. Kemi arritur të bëjmë një punë shumë të mirë. Besoj se edhe më tutje do të punojmë me Artpolisin. Në vendin tonë ka shumë paragjykime, mirëpo ne asnjëherë nuk duhet të dorëzohemi pa marrë parasysh se sa bullizohesh, sa shumë të japin presion me të dorëzohesh, ne nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë. Secili e ka të drejtën e jetës, për ta jetuar ashtu siç dëshiron vet”, ka thënë Hyseni.
Kurse, për Enis Xheladinin kjo ishte një përvojë që nuk do ta harrojë asnjëherë.
“Me Artpolisin ka qenë një përvojë që do të më përcjellë tërë jetën. Mësimin që e kam marrë nga ky projekt është që mos me u dorëzu asnjëherë pavarësisht sfidave që i kemi pasur. Ëndrra ime është duke u bërë realitet pasi unë aktrimin e kam dashur qysh kur kam qenë I vogël, por asnjëherë nuk më është dhënë mundësia”, ka thënë ai.
Për Elmedina Sylën angazhimi me Klubin Teatror ishte veçanërisht i rëndësishëm për ta larguar frikën e paraqitjes para publikut. “Me Artpolisin e kam mësuar se nuk duhet të kemi frikë nga skena pavarësisht se si ndihesh”, është shprehur ajo.
Kurse Brikena Hysenaj ka theksuar se lojërat e zhvilluara përgjatë provave me Klubin Teatror ju kanë ndihmuar të menaxhojnë stresin dhe të përmirësojnë paraqitjen e tyre skenike.
“Ajo çka më pëlqen në angazhimet me Artpolis është se ne e trajtojmë një problem nga shoqëria, dhe me e paraqit para publikut. Trajneret kanë qenë shumë të mira me ne, dhe na kanë ndihmuar rreth shfaqjes, roleve, por kemi bërë edhe lojëra që na kanë ndihmuar ta largojmë stresin që e kemi Brenda dhe të paraqitemi më mirë si aktore/ë”, ka thënë ajo.
Prezent në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësuese/ë të institucioneve të Shtimes, nënkryetari i Komunës, Faruk Beqa, drejtoresha e Kulturës, Albana Fazliu, drejtoresha e Arsimit, Yllka Fazliu, drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale, Labinot Rexhaj etj.
Ky aktivitet u organizua nga Artpolis me mbështetje të Frieda dhe Komunës së Shtimes.