Fondi Fondi për Art Feminist

“Dream a Little Dream”, performanca që u zhvillua përkundër territ të KEDS-it

23 Dhjetor, 2021

23.12.2021

E tëra nis me një ëndërr, me një ide. Dy vajza ëndërrimtare përgatitjet për një audicion i zhvillonin në shtëpinë e tyre, as terri i shkaktuar nga KEDS-i nuk i ndalte. Disa qirinj e një dritë shkrepëse mjaftonte që ato të argëtoheshin duke kënduar e duke lexuar poezi. E atmosferën festive e krijonte edhe bredhi i vendosur në kënd, e fustanet e bukura të dizajnuara nga Martina Shtufi, që qëndronin të varur në pritje për t’u veshur nga yjet e ardhshme. 

Publiku, i mbledhur në Teatrin Oda të enjten mbrëma, ishte dëshmitar i fuqisë së artit dhe të artistëve, që nuk dorëzohen edhe kur goditen nga ky realitet i hidhur e territ shoqëror. Aktoret Qendresa Kajtazi e Daniela Markaj, të shoqëruara nga Alzan Gashi në piano, Endrit Xërxa në kitare e Drin Tashi në bateri, ndriçuan skenën e Odës me performancën e tyre, që ishte një kombinim i muzikës dhe poezisë si një thirrje për reflektim, dashuri, paqe  dhe gjetje të zërit unik me qëllim të festimit të krijimtarisë së grave artiste të cilat inspirojnë njëra-tjetrën dhe komunitetin.

Këto artiste dhe artistë e arritën qëllimin; inspiruan dhe ngjallën entuziazmin e publikut përmes dashurisë së tyre për artin dhe talentit të shpërfaqur.

Publiku përjetoi një çast intimiteti artistik. E kush më mirë se artistët mund ta dijë se momentet më të paharruara janë krijuar në kushte të jashtëzakonshme: në terr, në rrugë, në shi e në borë, në ambiente të hapura e të mbyllura jashtë institucionale. Është arti e artistët ata/ato që dinë të falin momente të tilla të paharrueshme si në natën e 23 dhjetorit 2021.  

Artpolis përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Foto: Elmedina Arapi

#artpolis#art#community#Kcsf

You may also like