“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
23.11.2023
“Gratë Trojane – Replika”, më 23 nëntor, 2023 e mori publikun në një udhëtim të tragjedisë njerëzore, nga Troja në ditët e sotme, dhe fatin e grave përmes thirrjes për paqe.
Ishte pikërisht Euripidi ai që dëshmoi sërish brutalitetin njerëzor, duke u ngjitur në skenën e Teatrit Dodona mbrëmjen e së enjtes: “Ka diçka esenciale në botën e juaj që ka ndryshuar, por përsëri ka diçka esenciale që ka mbetur njëjtë. Dhimbja. E liga…E kam kuptuar. Troja ende është kudo. E gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne. Mijëra kuaj, jo nga druri, por nga çeliku… që fluturojnë. Pegasusë të hekurt që hedhin bomba kudo”.
Me regji nga regjisoret feministe Zana Hoxha dhe Dijana Milošević dhe performancë të Ansambleve të Artpolis dhe Dah Teatër prezantimi i “Gratë Trojane – Replika” në bashkëdyzim gjuhësh, shqip dhe serbisht, portretizoi vuajtjet e heshtura të grave pas luftës, duke theksuar cenueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre përballë shtypjeve sistematike. Personazhe si Hekuba, Kasandra e Andromaka bëhen simbole të fuqishme të forcës së grave në mes të trazirave politike. Prezantimi shërben si një kujtesë e përjetshme për nevojën urgjente për t’i dhënë përparësi paqes dhe thyerjes së ciklit të konfliktit dhe luftës, dhe thekson nevojën për të mbrojtur popullsinë e cenueshme, duke kërkuar harmoni të qëndrueshme dhe duke avokuar për zërat e grave në kërkim të paqes.
Ky prezantim, që është në shërbim të krijimit final të shfaqjes, vjen edhe si çortim për “hyjnitë” e sotëm – politikanët. Kritikohet lehtësia mbi të cilën vendosin fatin e popujve, luftërat që shkaktojnë, e pasojat shkatërrimtare të akteve të tyre.
Pas përfundimit të prezantimit audienca parashtroi pyetje të shumta, e pati komente për artistët dhe performancën.
Diversiteti dhe përdorimi i gjuhës shqipe dhe serbe në këtë prezantim ka marrë kritika pozitive nga audienca.
“Realizimi i shfaqjes më pëlqej shumë, ngjall emocion dhe më pëlqej bashkëpunimi mes dy gjuhëve, diversiteti tregoi se mund të kemi respekt dhe bashkëpunim mes dy shteteve”, u shpreh një vajzë e re në audiencë.
Përdorimi i dy gjuhëve nuk ishte barrierë për të kuptuar mesazhin.
“Unë nuk e kuptoj gjuhën serbe, por e kuptova të gjithë prezantimin, sepse lufta është po aq e keqe në çdo cep të botës; sepse dhimbja nuk ka nevojë për përkthim; por edhe sepse arti është gjuha universale e kësaj bote”, ishte një nga komentet nga audienca.
Për disa prej tyre, prezantimi i “Grave Trojane” ka ardhur në kohën e duhur, si një mundësi për të kontribuuar në paqe.
“Ky prezantim dhe bashkëpunim vjen në kohë të duhur marrë parasysh tensionet momentale mes Kosovës dhe Serbisë, ndoshta si shembull që nëse politika krijon tensione, është përdorimi i artit ai që i zbutë tensionet dhe kontribuon në komunikim, bashkëpunim dhe paqe”, tha një tjetër.
“Gratë Trojane – Replika” mbështetet nga UNFPA, Bashkimi Evropian dhe Ambasada Amerikane në Kosovë. Partnerë në këtë aktivitet janë Artpolis dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (Serbi).