Artpolis

Kanuni i gruas në Teatrin Kombëtar: Një këngë vaji për çdo gaz

Aug 8, 2019 – *Citizens Channel/ Entenela Ndrevataj

Teatri i përmbushte kushtet, kishte skenën, mirëpo për fat të keq i kishte dyert e mbyllura” shprehet Qëndresa Loki, e cila ditën e djeshme shpalosi në skenën e Teatrit Kombëtar, së bashku me trupën e artisteve nga Qëndra për Art dhe Komunitet – Artpolis veprën “Kanuni i gruas”. Në solidaritet me rezitencën për mbrojtjen e godinës, tetë aktore nga Kosova performuan në sallën e Teatrit, i cili prej javësh është tashmë i hapur për publikun, i gjallëruar dhe i rijetësuar nga aktorë të huaj dhe shqiptarë.

“[Teatri Kombëtar] Është institucion i parikthyeshëm dhe i pazevëndësueshme ndonjëherë. Ne si aktiviste do t’i mbështesim kolegët tanë këtu. Do ta kenë përkrahjen tonë, vazhdimisht” shprehet Qëndresa për Citizens Channel, menjëherë pas dhënies së shfaqjes e cila u përcoll me duartrokitje dhe interes të veçantë nga publiku.

Qëndresa Loki, aktore në veprën “Kanuni i gruas”

“Kanuni i gruas” shtjellon rolin e saj në shoqërinë e Kosovës. E gjithë tematika vërtitet rreth stereotipeve dhe normave gjinore të cilat kushtëzojnë lirinë e vajzave dhe grave, duke u përcaktuar që në lindje trajektoren e jetës, bazuar në moralin shoqëror.

Kanuja e xen gruen si një tepri në shpi”, ishte fjali e thënë rishtazi dhe e përcjellë gojarisht nga secila artiste teksa performonin ditën e djeshme në sallën e Teatrit Kombëtar.

 

 

 

 

 

Në përformacën e cila zgjati mbi 30 minuta, artistet nga Kosova paraqitën shoqërinë patriarkale tek rëndon mbi gruan kosovare dhe shqiptare nëpërmjet rolit dhe detyrat që ajo i përcakton, nisur vetëm nga gjinia e saj. Në fokus të veprës ishte kanagjegji, ritual i hasur gjerësisht në Kosovë, i cili bëhet para dasmës. Në kanagjegj janë të ftuara vetëm vajza dhe gra. Nusja mban në kokë një shami të kuqe dhe vajzat e tjera i këndojnë asaj këngë vaji. Këto këngë tradicionale u kënduan edhe gjatë veprës së vënë së skenë mbrëmë:

“Ani fryni era u kput peni o,

Ani ksaj lules i erdh reni [radha] o”

Boll ma! Deri tash na keni shtyp, deri tash nuk kemi guxu me fol se asht thanë që gratë janë veç për punë të shpisë, gratë janë për me i kqyr fmit, me i rehatu mysafirt kur të vijnë dhe mos me ja kthy fjalën kërkuj”, u shpreh Kaltrinë Zeneli gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel teksa u pyet rreth normave gjinore në shoqërinë ku ajo bën pjesë. Ajo shton se kultura dhe sistemi patriarkal është shtypës për gjininë femërore në Kosovë e cila nuk duhet pranuar më.

Kaltrinë Zeneli, aktore në veprën “Kanuni i gruas”

Gjatë shfaqjes u vijëzua pritshmëritë dhe përjetimet me të cilat përballen vajzat dhe gratë e martuara, të cilat përkojnë edhe me situatën në shumë zona të Shqipërisë. “Me kan’ nuse do me thanë me e marr vesh krejt shpia ku je t’u shku”, “Me kan’ nuse do me thanë me dalë me prit mysafir tek dera edhe nëse je smur”,Me kan’ nuse do me thanë krejt fajet e botës me kanë tuat”.

Teksa portretizohej roli i gruas në Kosovë, artistet nga Kosova shfaqen momente rebelimi ndaj dhunës me bazë gjinore. “Mos m’prek!”,Mos m’prek!”,Mos m’prek!” ishin thirrjet e artisteve drejtuar publikut të pranishëm në sallë duke përcjellë mesazhin se është pikërisht shoqëria e cila e toleron atë, tolerancë e cila ka sjellë një numër vajzash dhe grash të bien pre e kësaj dhunë.

Kaltrinë Zeneli mendon se dhuna është një fenomen tepër i shpeshtë, ku gjenezën e ka nga vetë familja. “Tu fillu prej familjes, prej mentalitetit të asaj familjeje, fillon prej aty: ‘Shuj se kojshia”.

Ajo gjithashtu shprehet se policia dhe gjykata janë institucione të cilat kanë dështuar në mbrojtjen e viktimave. “Mandej kur ti shkon me kërku ndihmë nëpër institucione pak ma t’nalta, ndoshta në polici. Edhe ata i bajnë sendet asgja: “Uh, na kena punë hala ma t’mdhaja” shprehet ajo për Citizens Channel.

Ditën e djeshme, teksa vajzat vunë në skenë “Kanunin e gruas” Kosova u trondit sërish nga dhuna me bazë gjinore ku një grua është mbetur e vrarë nga bashkëshorti i vet, i cili e ka goditur atë me 15 plumba. Lajme të këtilla janë normative edhe për Shqipërinë, ku të dhënat e Studimit Global mbi Dhunën me Bazë Gjinore tregojnë se niveli i vrasjeve nga partnerët është 0.7 për 100.000 mijë gra duke pasur kështu numrin më të lartë të vrasjes së grave nga partnerët në krahasim me vendet e tjera të Evropës.

Artistet nga Kosova e shikojnë artin si armën e tyre më të fortë për të ndryshuar shoqërinë. Nëpërmjet tij, ato synojnë të përçojnë mesazhe të forta të cilat shkundin themelet e mentalitetit, traditave dhe dokeve krahinore.

“Ndryshimet më të mëdhaja në botë i ka bërë vetë arti, nëse ne si artistë nuk i ndryshojmë, atëherë kush do ta bëjë?! “

artpolis

Foto Galeri

0Shares