Projektet Punëtoritë

“Kultura pa kufi” i hapi dyert për artistët e rinj

1 Prill, 2024

22-31.03.2024

Kultura pa kufi! Programi Interkultural Icebreakers bashkoi artistë të rinj nga Kosova dhe Serbia, duke nxitur shkëmbimin dhe rritjen kulturore. Nga data 22 mars deri më 31 mars, 16 të rinj/reja të talentuar nisën një rrugëtim transformues të mbushur me udhëtime, leksione, seminare dhe vizita në institucione kulturore.

Në Beograd, Novi Sad, Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Deçan, ata u zhytën në art, kulturë dhe trashëgimi. Dallojmë ligjeratën nga shkrimtari Sasha Iliç, vizita në muzetë e njohur si Muzeu 25 maj (Beograd) dhe MSUV-muzeu i artit bashkëkohor (Novi Sad) dhe në qendrën e artit CZKD. Po ashtu edhe në QKD në ekspozitën „Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë“, Termokiss, Fakulteti i Arteve, Manastiri i Deçanit, Lidhja e Prizrenit, DokuFest, Anibar, etj.

Për shumë pjesëmarrës/e, kjo përvojë shënoi vizitën e tyre të parë në vendin fqinj, duke thelluar kuptimin e tyre për historinë dhe duke nxitur miqësi të reja. Ndërkohë, aktivitetet në Kosovë hedhin dritë mbi historinë e luftës dhe pasurinë kulturore të rajonit, nga vizitat në ekspozita deri te diskutimet me figura të shquara, si aktivistja feministe Igo Rogova.

Nën drejtimin e mentores Tamara Tomašević, grupi eksploroi idetë e tyre artistike, duke nxitur vetëdijen dhe kreativitetin. Duke reflektuar mbi përvojën e tyre, disa nga pjesëmarrësit/et ndanë përshtypjet e tyre;

Aulona: “Pjesëmarrja ne projektin “Ice breakers”, i cili ka për qëllim takimin e artistëve të rinj dhe të pakonsoliduar, ndodhi në një mënyrë krejt rastësore. Nuk kisha asnjë pritshmëri, por mund të them me plot bindje qe është njëri ndër projektet që ndryshoi perspektivën time artistike dhe më hapi mendjen në një mënyrë shumë organike. Takova njerëz të mrekullueshëm, ndava histori, vizitova vende të reja, shkëmbeva përvoja dhe krijova shume shoqëri. Për mua ishte nje eksperiencë shumë e nevojshme dhe thellësisht transformuese, andaj e rekomandoj me zemër për të gjithë artistët e rinj.”

Katarina: “Më vjen mirë që pata mundësinë të takoj bashkëmoshatarët tanë nga Kosova, dhe të kem një hapësirë të sigurt për t’u përballur me stereotipet, politikën dhe historinë. Kam bërë disa miqësi që i kam të dashura dhe besoj se do të zgjasin shumë. Pas projektit, ndihem më e fortë dhe më e mbështetur për të studiuar më tej dhe për t’u marrë me problemet sociale”.

 Ndërsa vazhdojnë rrugëtimin e tyre, këta “akullthyes” presin me padurim projekte artistike bashkëpunuese dhe ndajnë punën e tyre me botën.

Programi “Kultura pa kufij” për artistë të rinj është dizajnuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HO), dhe që nga viti 2023 zbatohet në bashkëpunim me organizatën Artpolis nga Prishtina dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

You may also like