Panelet e Diskutimit

Mes emocionesh “Biba May – Jo Më” inspiron për jetën

16 Tetor, 2023

15.10.2023

Prezantimi i dokumentarit “Biba May – Jo Më” në Kino Lumbardhi në Prizren, më 15 tetor, 2023 solli emocione të shumta, lotë e të qeshura, por mbi të gjitha inspiroi të pranishmit për të mos u dorëzuar kurrë përballë sfidave. Ky prezantim ishte i veçantë dhe shumë emocionues edhe për vet Bibën që jeton dhe vepron në këtë qytet.

Ky film dokumentar solli rrëfimin e jashtëzakonshëm të Resmije Rahmanit, e njohur si Biba, një grua që sfidon kufizimet e vendosura nga distrofia muskulare dhe shfaqet si një fener shprese dhe frymëzimi. Me një përzierje të rrëfimeve të tregimeve dhe emocioneve të papërpunuara, ky film portretizoi qëndresën e patundur të Bibës, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të shqyrtuar një këndvështrim të sfidave.

Përmes intervistave intime, kinematografisë mahnitëse dhe një portretizimi emocionues, ne hulumtojmë thellë në botën e saj, duke dëshmuar sfidat e përditshme me të cilat ajo përballet me vendosmëri të palëkundur. Gëzimi i saj i shkëlqyeshëm, momentet e saj të dobësisë dhe optimizmi i saj i pashuar ka prekur zemrat e të pranishmëve në Kino Lumbardhi, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tyre.

Dokumentari u pasua me një diskutim të gjallë dhe ndarjen e përvojave inspiruese ndërmjet audiencës dhe panelisteve në përbërje të Biba May, Shqipe Malushit, Pranvera Musaj dhe Zana Hoxha.

Të pranishmit morën forcë dhe u motivuan që të angazhohen edhe më shumë për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuar.

“Dua të përgëzoj Bibën për krejt forcën dhe motivimin që vazhdon me na dhënë për kaq shumë vite. Nga ky film u motivova shumë që të luftojmë bashkë për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar. Disa herë u përmes Kalaja, kështu që Biba mos harro se ne jemi Kala, nuk ka luftë as sfidë që na mposhtë. Jemi bashkë dhe do t’ia dalim”, ka thënë aktivistja Pranvera Musaj.

“Biba May – Jo Më” është një ode për guximin, një festim i durimit dhe një kujtim që asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme kur shpirti shndritë.

Ky dokumentar është realizuar me mbështetje të Fondacionit Joseph Handleman “Besoj në Ty”, (SHBA), Fondacionit Global Shqiptar, (SHBA), Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës; SIGMA-Grupi i Sigurimit nga Vienna, Artpolis- Qendra për Art dhe Komunitet, si dhe OPDMK, Kino Armata, Anibar-Kino “Yusuf  Gervalla”, Peja, dhe Komuna e Pejës-Departamenti i Kulturës, Handikos Gjakovë. Ky projekt gjithashtu u mbështet nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.

You may also like