Shfaqjet Teatrale

Procesi krijues i shfaqjes “Gratë e Trojës”, një udhëtim i përbashkët frymëzimi

14 Prill, 2024

Përkundër barrierave të mundshme gjuhësore dhe modifikimit të provave, herë fizikisht dhe herë online, ndërtimi i shfaqjes “Gratë e Trojës” ka qenë një udhëtim frymëzues për artistet/ët pjesëmarrës.

Nën drejtimin e regjisoreve feministe, Maja Mitić dhe Zana Hoxha kasti i aktoreve/ëve nga Kosova dhe Serbia kanë realizuar prova fizike në Prishtinë, online, dhe së fundmi fizikisht në Prizren, para prezantimit të shfaqjes në Kino Lumbardhi më 15 prill, 2024.

Nga provat intensive deri te interpretimet kreative të aktorëve/eve, shkrirja e tekstit të përjetshëm të Euripidit me prekjen moderne të Shpëtim Selmanit, shtoi thellësi dhe emocion te “Gratë e Trojës”. Dy-gjuhësia, e herë-herë tre-gjuhësia, gjatë provave të krijimit të shfaqjes, ia shtoi vlerën unike këtij procesi. Skena e kinemasë Lumbardhi, me gjithë historinë dhe trashëgiminë kulturore që e bartë me vete, dha një ambient adekuat për bashkëpunim të ngushtë dhe kreativ me koreografin Robert Nuha dhe kompozitorin Liburn Jupolli, të cilët i dhanë performancës origjinalitet, dukë vënë në pah dhimbjen e mbijetueseve të luftës së Trojës, duke e adaptuar edhe me rrëfimet nga ditët e sotme.

“Gratë e Trojës” mbështetet nga UNFPA (përmes projektit ‘Youth 4 Inclusion, Equality & Trust), Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Amerikës në Kosovë.

Partnerë në këtë aktivitet janë Artpolis dhe Helsinski Odbor për të Drejtat e Njeriut (Serbi).

You may also like