Artpolis

Shfaqja “Balerinë e Gangsterë” për bullizmin që dëmton të gjithë

30.11.2021

Më 30 nëntor Teatri i Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë ishte nikoqir i katër shfaqjeve forum teatër të klubeve teatrore të shkollave kampione nga ky qytet. 

Ishte SHFMU “Selman Riza” ajo që hapi ciklin e prezantimit të shfaqjeve me performancën “Balerinë e Gangsterë”. 

Nën mentorimin e aktorit Flamur Ahmeti dhe facilitimin e Armend Ballazhit, nxënësit e kësaj shkolle sollën para publikut një shfaqje interesante duke trajtuar temën e bullizmit e rivalitetin ndërmjet dy grupeve të vallëzimit. 

Edhe pse ndajnë një klasë të përbashkët, nxënësit janë të ndarë në dy grupe, balerinë e gangsterë. Përplasja e tyre ashpërsohet kur të dy grupet vihen përballë njëri-tjetrit në një garë vallëzimi, fituesi i të cilit do të siguronte një udhëtim në Brezovicë. Por, duke u fokusuar më tepër tek kundërshtari, për të ulur talentin e njëri-tjetrit e duke bullizuar të dyja grupet e humbin garën, duke mos e fituar askush nga kjo përballje. 

Pas shfaqjes publiku kureshtar shtroi pyetje të shumta për personazhet rreth skenës, por nuk munguan edhe këshillat e komentet e ndryshme për veprimet jo të drejta të të dyja grupeve. 

“Ky projekt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane”

0Shares