Aktivitetet Forum Teatri

Shfaqja “Eklips” me mesazh kundër dhunës ndaj grave

11 Gusht, 2022

03.08.2022

Shfaqja forum teatër “Eklips” u prezantua më 3 gusht, 2022 në Amfiteatrin e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.

“Eklips” erdhi si një rrëfim skenik mbi dhunën, kërcënimet e vrasjen e grave. Përmes lojës skenike, tekstit e përfomancës muzikore të rinj e të reja ngritën vetëdije, duke adresuar e kundërshtuar dhunën seksuale, fizike, psiqike e emocionale ndaj grave.

Në këtë shfaqje u ndërthuren trishtimi, vetmia, çlirimi, dashuria, gëzimi, argëtimi, shqetësimi e pasiguria për t’i dhënë emocione të shumta publikut. Këta të rinj dhe të reja sollën këtë shfaqje për ta tronditur që të reflektojë mbi rolin që institucionet, familja, e miqtë luajnë në ngjarjet e dhunës, që nuk duhet të qëndrojnë të izoluara e brenda hapësirës private.

Pas përfundimit të shfaqjes, publiku pati rastin të parashtrojë pyetje të shumta për personazhet e të japë komente e këshilla për temën e trajtuar. Një debat i gjerë, aktiv dhe i thellë u realizua ndërmjet publikut dhe personazheve duke përçuar mesazhin se dhuna nuk duhet të tolerohet, e shtypja ndaj grave duhet të marrë fund.  

Në këtë shfaqje luajtëm:  Arbesa Azemi, Ardijan Krasniqi, Arjeta Beqiri, Rrezon Potoku, Sejad Gashi, dhe Sonila Pacolli.

“Eklips” u krijua nën mentorimin e aktorit të Trupës Artistike Rezidente të Artpolis, Edlir Gashi.

Kjo shfaqje organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të projektit ” HumanRightivism”, në bashkëpunim me TOKA, zbatuar nga Community Development Fund – CDF dhe përkrahur nga Embassy of Sweden in Pristina.

#artpolis #CDF #SwedenInKosovo #humanrightivism #forumtheatre

You may also like