Forum Teatri

Shfaqja “Vallëzo pa frikë”, me mesazhe kundër ngacmimeve seksuale

8 Nëntor, 2022

08.11.2022

Ngacmimet e sulmet seksuale nuk duhet të zënë vend në shoqërinë tonë. Viktimat duhet të mbështeten nga institucionet e shoqëria, kurse kriminelët e kanë vendin në burg. Ky ishte mesazhi që përçoi shfaqja forum teatër “Vallëzo pa frikë”.

Kjo shfaqje u prezantua më 8 nëntor, 2022 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj në prani të më shumë se 150 personave në audiencë.

Të rinjtë dhe rejat e Klubit Teatror në Ferizaj, që punuan nën mentorimin e aktorëve të Trupës Artistike Rezidente të Artpolis, Qendresa Kajtazi dhe Edlir Gashi, patën një paraqitje të shkëlqyer skenike, për çka edhe i morën duartrokitjet e publikut gjatë gjithë kohës.

Ngjarja kryesore zhvillohet në shkollë kur tri vajza me pasion për vallëzimin ngacmohen seksualisht gjatë sesionit të provave. Kjo ngjarje lë gjurmë të rënda tek secila prej tyre, megjithatë të tria reagojnë në forma të ndryshme ndaj kësaj ngjarje – me dyshime, frikë e guxim. Shumëçka varet edhe nga reagimi i shoqërisë dhe i familjes kur ngjarja bëhet publike në mediumet e vendit.

Pas përfundimit të shfaqjes një debat aktiv është zhvilluar ndërmjet personazheve dhe publikut, me këtë të fundit që parashtroi pyetje të shumta, dhe njëzëri kërkoi që kriminelët të marrin dënimin e merituar, kurse viktimat të marrin përkujdesjen e duhur institucionale.  

Ky aktivitetet u organizua nga Artpolis me mbështetje të cfd , Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit , dhe Komunës së Ferizajt.

Sponsor gjeneral i Artpolis është Buçaj SH.P.K.

#artpolis #mkrs #cfd #Buçaj #forumtheatre #Youth #ferizaj

You may also like