Aktivitetet Aktivizëm Projektet

Shkolla Pranverore Feministe 2022 – Pjesa e parë

4 Prill, 2022

30 mars – 2 prill, 2022

“Gratë e reja që ndërtojnë paqen” ishte motoja nën të cilën u zhvillua pjesa e parë e Shkollës Pranverore Feministe 2022, duke mbledhur 19 vajza nga Kosova dhe Serbia nga data 30 mars – 2 prill 2022, në Prishtinë.

Iniciativat si Shkolla Pranverore Feministe, padyshim që luajnë një rol kyç në ndërtimin e një narrative pa shtrembërime politike në kuadër të tablosë më të madhe të ndërtimit të paqes mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Kjo veçanërisht kur e kemi parasysh ndikimin e politikës në jetën e përditshme të qytetarëve të të dy vendeve, gjendjen e stagnuar në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithë efektin që kjo situatë e ka në marrëdhëniet ndëretnike në mes tyre.

Qysh nga viti 2014, çdo vit, njëri edicion i Shkollës Pranverore Feministe mbahet në Kosovë e tjetri në Serbi. Programi i Shkollës Pranverore Feministe është krijuar në atë mënyrë që përfshinë trajnere dhe mysafire aktiviste dhe feministe, nga Kosova dhe Serbia, të cilat prezantojnë punën e tyre para vajzave pjesëmarrëse. Dhe programi i këtij viti nuk kishte si të bënte përjashtim.

Gjatë katër ditëve të shkollës / seminarit tonë (joformal) që mblodhi së bashku të rejat nga Kosova dhe Serbia, ne trajtuam tema të ndryshme, duke i angazhuar pjesëmarrëset në proceset praktike të të mësuarit dhe duke eksploruar më shumë për veten, të ardhmen e tyre feministe dhe procesin e ndërtimit të paqes.

Temat si ‘Rrugëtimi drejt njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë’ pasuar nga të tjera si ‘historia e feminizmit në Kosovë’, ‘ligji dhe feminizmi’, ‘kontributi i grave në paqe dhe siguri’, ‘limitet tona personale’ e ‘siguria feministe dhe ndërtimi i një lëvizjeje rezistente’ ishin temat që pasuruan programin e pjesës së parë të Shkollës Pranverore Feministe 2022.

Emrat e njohur të aktivisteve dhe përfaqësueseve të institucioneve, përfshirë Ariana Qosaj Mustafa, Linda Gusia, Donika Emini, Kadire Tahiraj, Yllka Soba dhe Nora Prekazi ligjëruan për temat e lartpërmendura.

Krijimi i një mjedisi të sigurt për pjesëmarrëset për t’u shprehur dhe mundësa që ta bëjnë atë në gjuhën e tyre janë ndër parimet thelbësore të Shkollës Pranverore Feministe që padyshim nuk munguan as këtë vit.

Më poshtë do të rendisim disa fjali të shkurtra të përgjigjeve vlerësuese të pyetjes “Cila është ndjenja me të cilën po e mbyllni Shkollën Pranverore Feministe?”:

“Ndjenjë shumë pozitive për faktin që kemi qenë të sinqerta dhe kemi pasë bashkëbisedim të shëndoshë; kam kalu shumë mirë këto ditë dhe pjesa më e bukur ka qenë që kam njoftu shumë njerëz të mirë e jam informu për shumë gjëra që nuk i kam ditë thelbësisht.” – Marigona

“Ndjenjë shumë e mirë. Kemi dëgjuar e mësuar gjithçka dhe e realizuam atë për çka kemi ardhë – filluam të lidhemi në mes vete; filluam të shoqërohemi dhe t’i fshijmë kufinjt që na janë imponuar. Tashmë kemi filluar të punojmë në këtë dhe do të fuqizohemi më tutje, besoj që kjo që e kemi nisur do të vazhdojë.” – Bojana

“Aq sa janë të rëndësishme ligjëratat dhe njohuritë që i marrim, aq kanë qenë të rëndësishme edhe miqësitë e reja që i kemi kriju. Ndihem shumë mirë që kam qenë në mesin tuaj dhe kam pasë mundësi me njoftë shoqe të reja nga Serbia, kam kalu shumë mirë dhe vërtetë shpresoj që kjo shoqëri do të zgjatë përtej këtij aktiviteti.” – Beneta

“Kam përshtypje shumë pozitive dhe më vjen shumë mirë që kam marrë pjesë në këtë Shkollë. Definitivisht e kam kuptuar që disa paragjykime që i kemi pasur janë vërtetë paragjykime. Mezi po pres të marrë pjesë edhe në pjesën e dytë të Shkollës në Serbi.”- Isidora

#artpolis #art #community #feministspringschool #fss #feminist

You may also like