Artpolis

“Si ti, jam edhe unë”, shfaqje për diskriminimet gjinore në familje

30.11.2021

Klubi teatror i shkollës kampione “Emin Duraku”, Gjakovë më 30 nëntor, 2021 ka prezantuar shfaqjen forum teatër “Si ti jam edhe unë” në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu”.

Përmes kësaj shfaqje të rinjtë e këtij klubi, nën mentorimin e aktorit Flamur Ahmeti, kanë trajtuar temën e diskriminimeve gjinore brenda familjeve. Ngjarja zë vend në shtëpi dhe në shkollë. Fiona, një nxënëse e shkëlqyer, përballet me shtypje të dyfishtë, nga vëllai i saj dhe nga prindërit.

Ajo detyrohet t’ia bëjë detyrat shkollore gjithmonë vëllait të saj, i cili gjithmonë është i lirë të dalë nga shtëpia me shoqërinë, kurse Fiona nuk e ka këtë mundësi pasi një gjë e tillë i ndalohet nga familja, ajo duhet të mbajë veshur petkun e “vajzës së mirë”. Megjithatë, ky trajtim që i bëhet nga familja e saj e revolton Fionën, e cila në shenjë pakënaqësie largohet nga shtëpia për të shkuar tek shoqja e saj, e gjithashtu refuzon t’ia bëjë detyrat e shkollës vëllait të saj.

Kjo sjellje e familjes ndaj Fionës zgjoi debat tek publiku, që nën facilitimin e Armend Ballazhit, shtruan pyetje të shumta për personazhet, derisa kritikuan prindërit për qasjen ndaj vajzës, e dhanë këshilla se barazia gjinore nis qysh në familje.

“Ky projekt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane”

0Shares