Aktivitetet Forum Teatri

“Sukses pas një dështimi”, triumfi i shoqërisë mbi bullizmin

30 Nëntor, 2021

30.11.2021

Në Teatrin e Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu” nxënësit e klubit teatror të shkollës kampione “Zekeria Rexha” më 30 nëntor, 2021 sollën para publikut shfaqjen forum teatër “Sukses pas një dështimi”. 

Kjo shfaqje e përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle nën mentorimin e aktorit Flamur Ahmeti, trajtoi temën e bullizmit dhe pasojat e tij. Një nxënës i talentuar për të luajtur në kitarë, dëshpërohet kur kitarja e tij i prishet. Në pamundësi për ta blerë një të re ai e gjen një mënyrë për të fituar para, të dalë në qytet dhe të bëjë muzikë në rrugë me kitarën e tij të vjetër, por për këtë veprim përqeshet nga disa prej shokëve e shoqeve të klasës. Megjithatë, janë disa të tjerë që i japin mbështetje duke triumfuar mbi bullistët, që gjithashtu binden të kontribuojnë për blerjen e dhuratës për të, kitarës së re, si kërkim falje për gjithë përqeshjen ndaj tij. 

Pas përfundimit të shfaqjes publiku pati mundësi të bëjë pyetje të ndryshme për personazhet. Ishte aktori Armend Ballazhi që mbajti facilitim e kësaj shfaqje, duke ndihmuar që debati të fokusohet në shfaqjen e luajtur nga nxënësit. 

“Ky projekt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane”

You may also like