Aktivitetet

Të rinjtë eksplorojnë trashëgiminë historike dhe kulturore të Prizren

20 Prill, 2026

17.04.2026

Më 17 prill, 2026 të rinjtë nga pjesë të ndryshme të Kosovës u bënë pjesë e një vizite kulturore në Prizren, për të zbuluar nga afër pasurinë historike dhe kulturore që e karakterizon këtë qytet.

Vizita nisi në Muzeun “Nënë Tereza”, me ç’rast pjesëmarrësit/et u njohën me jetën dhe veprën e njërës prej figurave më të rëndësishme humanitare shqiptare. Më pas, udhëtimi vazhdoi në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit, ku historia e lashtë e rajonit u shpalos përmes artefakteve të ndryshme.

Vizita vijoi tek Hamami i Gazi Mehmet Pashës, një ndër monumentet më të rëndësishme të periudhës osmane, që dëshmon për zhvillimin urban dhe jetën sociale të kohës. Ndërsa vizita kulmoi në Muzeun e Lidhjes së Prizrenit, ku të rinjtë reflektuan mbi një nga ngjarjet më të rëndësishme historike për shqiptarët dhe rëndësinë e saj në formësimin e identitetit kombëtar.

Përmes kësaj përvoje, pjesëmarrësit/et patën mundësinë të mësojnë më shumë për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e vendit, duke e parë atë jo vetëm si të kaluar, por si një pasuri të gjallë që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.

Për Mehmet Salihun ishte një eksperiencë e re, “…mua më pëlqeu Muzeu i Nënës Terezë, më la përshtypje sepse nuk e kam ditë që ekziston një i tillë në Kosovë”.

Kurse për Nora Draga, vizita të tilla kanë një rëndësi të veçantë.

“Për neve si të rinj është shumë e rëndësishme ta kuptojmë historinë e vendit tonë, me e mbrojtë trashëgiminë kulturore sepse ajo na tregon prej nga vijmë, kush jemi dhe cfarë do bëjmë në të ardhmen”, u shpreh Draga.

Krahas vizitës të rinjtë u angazhuan në krijimin e përmbajtjeve digjitale për promovim online të kësaj trashëgimie kulturore, duke mundësuar kështu promovimin e qytetit të pasur të Prizrenit.

Një ditë e mbushur me histori, reflektim dhe përvoja të reja, që dëshmon se trashëgimia kulturore mbetet një burim i fuqishëm inspirimi për të rinjtë dhe një urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit “Heritage Horizons: A Journey Across Generations” të Artpolis në kuadër të programit BOOST Balkans, financuar nga AFD – Agence Française de Développement të koordinuar nga ALDA Balkans.

You may also like