Forum Teatri

“Zhulieta e Zhulieta”, sfidon normat shoqërore përmes dashurisë

21 Prill, 2025

18.04.2025

Më 18 prill, 2025, Klubi Teatror në Ferizaj prezantoi shfaqjen forum teatër “Zhulieta e Zhulieta,” një ri-interpretim i guximshëm i tragjedisë klasike të Shakespeare-it “Romeo dhe Zhulieta.”

Kjo shfaqje nuk ishte thjesht një interpretim i njohur, por një eksplorim filozofik mbi dashurinë, identitetin dhe rebelimin, i inskenuar nga talentët e rinj të Ferizajt.

Shfaqja u zhvillua në një kafe-teatër, me personazhet që sollën një mozaik të pasur shprehjeje krijuese, duke sfiduar jo vetëm estetikën e inskenimit, por edhe kuptimin e vetë dashurisë dhe normave shoqërore. Përplasja ndërmjet dy regjisoreve, me ide dhe besime krejtësisht të kundërta, nxitën debat të rëndëshëm me rreth 90 persona në audiencë.

Orgesa Kqiku, pjesëmarrëse e Klubit Teatror në Ferizaj, u shpreh se “Ne e përqafuan mundësinë për të fuqizuar djemtë dhe vajzat e reja për të përhapur një mesazh pozitiv”. Ky sentiment u reflektua gjatë gjithë shfaqjes, duke theksuar rëndësinë e barazisë dhe të drejtës për të dashuruar lirshëm, pavarësisht nga gjinia. Pjesëmarrësja Arliza Ilazi shtoi se,“Gjatë kësaj shfaqje, ne mësuam shumë gjëra të reja, dhe mesazhi që ne e përcollëm është se pavarësisht gjinisë tonë, të gjithë kemi të drejta të barabarta”.

Aktoret—Arliza Ilazi, Daorsa Neretva Sopa, Djellza Musliu, Enea Reka, Erza Musliu, Mariola Rexhepi, Orgesa Jakupaj, Orgesa Kçiku, dhe Riad Xhafaj—u mentoruan nga aktorët e njohur Kushtrim Qerimi dhe Dori Xhemajli. Interpretimi i tyre ishte i mbushur me emocione, duke nxjerrë në pah sfidat ndaj stereotipeve që shpesh kufizojnë individët.

Mariola Rexhepi theksoi se, “Me këtë shfaqje, qëllimi ynë ishte të mbështesim njëri-tjetrin, të tregojmë empatinë dhe të luftojmë stereotipet që shpesh na rrethojnë”.

Kurse Erza Musliu ka thënë se, “përmes artit kam dashur të përcjell mesazhin se të gjithë janë të lirë të bëjnë çfarë të duan pa paragjykime dhe diskriminime.”

Shfaqja ishte një dëshmi e fuqisë së teatrit si një mjet për ndryshim shoqëror dhe fuqizim personal. Ndikimi i “Zhulieta e Zhulieta” shkon përtej skenës, duke ftuar të gjithë për të reflektuar mbi identitetet e tyre dhe konstruktet shoqërore që i formojnë ato.

Ky aktivitet u organizua nga Artpolis në bashkëpunim me Shkollën e Arteve “Çesk Zadeja” dhe Teatrin “Adriana,” me mbështetje nga Frieda dhe Ministria e Kulturës.

You may also like