“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
Aktivitetet Aktivizëm Punëtoritë
1 Prill, 2019
21.03.2019 / 28.03.2019
Në një botë ku dhuna, keqtrajtimi, abuzimi dhe pasiguria kanë zënë vend dhe hapësirë në jetët e shumë individëve dhe familjeve, puna kreative është një aktivitet që pothuajse duket si një luks apo diçka e paarritshme, sidomos për ata/ato që nuk kanë pasur mundësi të provojnë veten në veprimtari kreative apo që nuk kanë pasur mundësi të punojnë fare. Kështu kanë menduar në fillim pjesëmarrëset e punëtorisë “Mendimi kreativ për Fuqizimin e viktimave të trafikimit dhe të viktimave potenciale të trafikimit”. Por, pas disa sesioneve, ato e zotëruan shumë mirë gjilpërën dhe makinën e qepjes dhe arritën të krijojnë produkte kreative.
Ky aktivitet ka të bëjë me krijimin e një hapësire të sigurt dhe të zbatueshme ku viktimat e trafikuara dhe viktimat potenciale të trafikimit mund të dalin dhe të krijojnë diçka me të menduarit Kreativ.
Qëllimi i këtij aktiviteti është që gratë e kategorisë së lartpërmendur të krijojnë diçka nga asgjëja dhe ti bëjnë ato ekonomikisht të pavarura, ashtu që pas përfundimit të këtij kursi të kenë mundësi të punojnë vetë.
Në vazhdimësi të punëtorive, në aktivitetet e radhës që u zhvilluan në datat 21.03.2019 dhe 28.03.2019, pjesëmarrëset vazhduan perfeksionimin e punës së qepjes, teknikat e qepjes, llojet e materialeve, vizatime e skicime të punëve të ndryshme. Pjesë e aktivitetit, përveç punës praktike ishin edhe ligjëratat e artistes Njomza Luci, e cila u mësoi grave rëndësinë e punës dhe të qenurit të pavarur, duke u zhvilluar profesionalisht që t’ia mundësojnë vetes një jetë më të mirë dhe më të dobishme, pra të përmirësojnë mirëqenien e tyre.
Shoqërimi në mes vete, bisedimet, muzika, relaksi me kafe e çaj ishin pjesë e punës gjithashtu. Në këto dy punëtori u përdorën materialet si: lëkurë, mëndafsh, pambuk, e të tjera, që pjesëmarrëset të njihen sa më mirë me llojet e ndryshme të materialeve dhe mënyrën se si punohet me to. Gratë mësuan të punojnë individualisht të pavarura por edhe në grupe duke e plotësuar njëra-tjetrën me kreacione të ndryshme. Produktet që ato i krijuan ishin çanta të përdorimit të përditshëm, çanta për raste më speciale si dhe çanta për laptopë.
Punëtoritë: “Mendimi kreativ për Fuqizimin e viktimave të trafikimit dhe të viktimave potenciale të trafikimit” realizohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i qëndrueshmërisë dhe përfshirjes sociale të viktimave të trafikimit dhe viktimave të supozuara të trafikimit” dhe përmban tetë punëtori që janë implementuar dhe realizuar në hapësirat e zyrave të Artpolis nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e artistes së njohur Njomza Luci.