“O Zot, O Zot, e Zoja e Shpisë” në Tuz…
27 Nëntor, 2024
16.04.2020
Gjatë periudhës së izolimit, si pasojë e virusit COVID 19, që nga mesi i marsit e deri në mes të muajit prill, 88 nxënës të shkollës së mesme të ulët nga klasa e VI deri në IX, të 6 (gjashtë) shkollave Kampione të Prishtinës, përveç mësimit obligativ shprehën dëshirën dhe vullnetin të ndjekin mësimin online për teatrin, të organizuar nga organizata Artpolis, në kuadër të projektit ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim.
Përkundër situatës së krijuar, Artpolis adaptoi mënyrën e punës, duke iu përshtatur gjithmonë rrethanave dhe nevojave të nxënësve, prindërve e mësimdhënësve. Në këtë mënyrë, filloi organizimin e provave në distancë përmes internetit me nxënësit. Të angazhuar në këtë projekt, nxënësit patën mundësinë të mësojnë për artin, kulturën, të drejtat e njeriut dhe bashkëjetesën multietnike si vlerë në Kosovë. Të gjitha këto u bënë më të afërta për nxënësit përmes aktiviteteve krijuese, ushtrimeve e trajnimeve, në takime të rregullta përmes internetit. I gjithë angazhimi i Artpolis dhe i nxënësve u kurorëzua me një video dramë e cila u transmetua në kohë reale në rrjetin social Facebook .
Të gjithë nxënësit pjesëmarrës, pra 88, në mënyrë aktive ishin të përfshirë në klubet e teatrit, në krijimin e performancave teatrale. Këta fëmijë gjatë kësaj kohe punuan ngushtë përmes internetit me njëri tjetrin njëherit duke shkëmbyer përvojat, mendimet, shqetësimet dhe dëshirat. Përmes adresimit dhe potencimit të fenomeneve negative nëpër shkolla bashkë me trajnerët, nxënësit u njohën më afër me ndjenjat dhe emocionet, çka ndikon rrjedhimisht në përmirësimin e sjelljeve të tyre. Përformancat forum teatër, kanë kuptim më të gjërë, ato kanë për qëllim eksplorimin përtej individit dhe kuptimin e botës së tjetrit. Një tjetër e bukur e këtyre shfaqjeve është se të njejtat emocione dhe ndjenja mund të përçohen tek publiku në kohë reale. Në këtë rast, performancat e këtyre klubeve teatrore si: “Dhuna në familje”, “ngacmimi”, “Diskriminimi i personave me nevoja të veçanta”, “Audicioni”, “Talenti”, “Pse unë”, do të trajtojnë dhe adresojnë dukuritë e tilla negative në shoqëri.
Trajnerët / mentorët, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj dhe Edlir Gashi, u përfshinë në mënyrë aktive për të ndihmuar klubet e teatrit për të krijuar video-drama në internet dhe për t’u dhënë atyre informacion të shumtë në lidhje me aktrimin, regjinë, gjithçka që lidhet me teatrin, por edhe nga fusha e të drejtave të njeriut. Padyshim, kjo ishte një përvojë e mirë edhe për trajnerët, pasi si artistë, ishin në kontakt të drejtpërdrejt me nxënës aktiv dhe të talentuar, duke përfituar kështu edhe nga përvojat e tyre.
Në anën tjetër, edhe prindërit ishin shumë të lumtur që fëmijët e tyre ishin të përfshirë në aktivitete teatrore. Prindërit në çdo kohë ishin mbështetës që provat përmes internetit të vazhdojnë, duke e parë këtë si mundësi të mirë që fëmijët të përballen më lehtë me izolimin e shkaktuar.
Pas përfundimit të provave përmes internetit, të gjitha 6 klubet tetarore interpretuan veçmas drejtpërdrejt në Facebook, nga 4 prilli e që do të vazhdojnë deri me 19 prill, 2020. Në këtë mënyrë, të rinjtë dhe në përgjithësi ndjekësit e mediave sociale kishin dhe do të kenë mundësinë që drejtpërdrejtë të ndjekin video- dramat dhe të shijojnë shfaqjet e nxënësve, duke u vetëdijesuar në të njëjtën kohë për temat që trajtojnë këto shfaqje.
Pas kësaj pune të suksesshme, për nxënësit ne kemi ofruar një trajnim mbi përdorimin e programit Canva, i cili do t’i ndihmojë ata në projekte të ndryshme shkollore. Ata mësuan për programin Canva dhe ne i inkurajuam ata të përdorin imagjinatën e tyre për të krijuar posterët e tyre, si krijimtari e cila do të publikohet e promovohet edhe në faqen tonë në Facebook. E gjithë kjo punë u mirëprit në këtë kohë të vështirë për të gjithë botën që po lufton kundër pandemisë COVID-19.
Projekti “ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim” përkrahet nga German Development Cooperation, implementohet nga GIZ në bashkëpunim me Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis.
“Klubet e Teatrit në 20 Shkolla Kampione janë krijuar me mbështetjen e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim (GIZ) përmes OJQ Artpolis”.