Panelet e Diskutimit Projektet Raportet e Hulumtimit

Pesë raportime të ngacmimeve seksuale që nga miratimi i Rregullores në UP

21 Nëntor, 2023

20.11.2023

Dje, më 20 nëntor, 2023 Artpolis publikoi raportin hulumtues “Analizë e njohurive të studentëve mbi ekzistencën dhe zbatimin e Rregullores kundër ngacmimit seksual dhe ngacmimit në Universitetin e Prishtinës”, me autore Ariana Qosaj-Mustafa.

Raporti fokusohet në analizën e Universitetit të Prishtinës dhe niveleve ekzistuese të reagimit në zbatimin e Rregullores kundër ngacmimit seksual duke qenë Universiteti më i madh në Kosovë si dhe universiteti i parë që ka miratuar një rregullore specifike për adresimin e rasteve të raportimit të ngacmimeve seksuale dhe ngacmimeve brenda universiteteve publike.

Që nga miratimi i Rregullores, në maj të vitit 2021, Zyra për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi ka pranuar në total pesë (5) raporte me pretendime për ngacmime seksuale, prej të cilave tri (3) u dorëzuan fizikisht dhe dy (2) në formë elektronike. Rastet e raportuara janë deleguar sipas procedurës së përcaktuar nga rregullorja e Komisionit të Këshillit të Etikës për procesim dhe trajtim të rasteve. Këshilli i Etikës gjatë muajit maj 2023 ka vendosur që dy prej këtyre rasteve janë të pabazuara, për arsye se raportet u dërguan nëpërmjet shkresave elektronike anonime.  Komisioni, sipas procedurës për ekzaminim të rasteve, i fton palët në një seancë dëgjimi me qëllim të prezantimit të të gjitha fakteve. Me këtë rast kjo nuk ishte e mundur për shkak se raportimi u bë nëpërmjet shkresave elektronike anonime, dhe kështu nuk kishte mundësi që palës ankuese t’i dërgohet ftesa për seancë dëgjimi.

Gjatë prezantimit të metodologjisë dhe gjetjeve e rekomandimeve kryesore të këtij raporti Ariana Qosaj-Mustafa ka thënë se ende është shkallë shumë e lartë e mosraportimit të rasteve për shkak të mungesës së besimit nga studentet se institucionet do të ndërmarrin masat e duhura ndëshkuese ndaj kryerësve të veprave.

 “Kryesisht studentët kanë mosbesim të përgjithshëm se do të ndërmerren masa serioze dhe nuk janë të vetëdijshëm në përgjithësi për procedurën që duhet ndjekur për raportim. Më tej, mungesa e ndonjë rasti të publikuar të masave të ndërmarra nga Universiteti i Prishtinës, ose mungesa e përgjithshme e njohurive mbi rezultatet e rasteve të raportuara zyrtarisht, janë renditur si arsye për studentët që dekurajohen të raportojnë. Në rastet kur studentët kanë qenë dëshmitarë apo kanë pësuar ngacmime seksuale, 96.7% e tyre nuk e kanë raportuar rastin”, ka thënë Qosaj-Mustafa gjatë prezantimit të raportit hulumtues në amfiteatrin “Ali Hadri” në Administratën Qendrore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nga gjithsej 208 studentë të anketuar, 59.6% e tyre ishin të informuar për miratimin e Rregullores së UP-së kundër ngacmimit seksual, ndërsa pjesa tjetër 40.4% e studentëve nuk ishin të informuar për miratimin e rregullores.

Kurse, në nivelin e të kuptuarit të përkufizimit të ngacmimit seksual dhe nëse studentët kanë qenë në dijeni ose kanë qenë dëshmitarë të rasteve të ngacmimit seksual në institucionin e tyre përkatës, gjithsej 50.5% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë njohur ose kanë qenë dëshmitarë të rasteve të ngacmimit seksual;

Ky raport hulumtues gjithashtu ka vënë në pah disa nga mangësitë kryesore të kornizës ekzistuese, derisa ka rekomanduar disa ndryshime për të rritur efikasitetin e zbatimit të Rregullores dhe rritjen e raportimeve të rasteve të ngacmimeve seksuale.

Në përputhje me rekomandimet e OJQ-ve dhe anëtarëve aktivistë të grupit fillestar të punës për hartimin e Rregullores së UP-së kundër ngacmimit seksual, menaxhmenti i ri i UP-së duhet të krijojë një grup të ri punues për ndryshimin e Rregullores së UP-së për Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual duke adresuar afatet e shkurtuara për raportimin e rasteve të ngacmimeve seksuale vetëm nga pesë vjet në një vit, prandaj afatet e raportimit duhet të bëhen deri në pesë vjet në përputhje me kërkesat e standardeve ndërkombëtare

Barra e provës është një nga pikat që kërkohet të ndryshohet. Bazuar në ligjin për antidiskriminim, i cili kërkon që të mos lejohet riviktimizimin e viktimave pasi ato raportojnë rastet, “barra e provës bie mbi të paditurin, i cili duhet të vërtetojë se nuk ka pasur shkelje të parimit të trajtimit të barabartë”. Ndryshe, Rregullorja ekzistuese e UP-së ka bërë që barra e provës do të bie mbi të dyja palët procedurale.

Gjithashtu, rekomandohet që të hiqet kërkesa e Rregullores për t’u kërkuar sinjalizuesve ose viktimave që raportojnë të nënshkruajnë një deklaratë të përgjegjësisë morale, etike, disiplinore dhe penale kur denoncohen rastet. Studentet poashtu kane rekomanduar që të gjitha konsultimet me studentët të mbahen vetëm në mjedise zyrtare, jo jashtë orarit të rregullt të punës së universitetit dhe jashtë ambienteve zyrtare.

Prezantimi është pasuar edhe me një panel diskutimi në përbërje të Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, përfaqësuesit të Policisë së Kosovës – Njësia Regjionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Milazim Govori, profesoreshës dhe aktivistes, Vjollca Krasniqi, si dhe aktivistes dhe Zyrtares së programit për adresimin e dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave, Besarta Breznica. Ky panel u moderua nga Themeluesja e Artpolis, Zana Hoxha.

Një fjalë rasti patën edhe drejtorja ekzekutive e Fondit për Zhvillim Komunitar – CDF, Nermin Mahmuti, dhe Besnik Sherifi, analist i Programit për Rini nga UNFPA, që kanë mbështetur publikimin e këtij raporti hulumtues.

“Besoj që publikimi i Raportit ‘Analizë e njohurive të studentëve mbi ekzistencën dhe zbatimin e Rregullores kundër ngacmimit seksual dhe ngacmimit në Universitetin e Prishtinës’, do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madh, sepse do t’i identifikojmë sfidat dhe do të ecim përpara në adresimin e tyre, dhe Artpolis do të jetë në ballë të detyrës siç ka qenë gjithë këto vite”, ka thënë Mahmuti, e cila ka ritheksuar mbështetjen e CDF për këtë kauzë.

Kurse Sherifi është shprehur se Raporti është një thirrje që të shumëfishojmë përpjekjet tona për edukim, vetëdijësim dhe parandalim të ngacmimeve seksuale në shoqërinë tonë.

Ministrja Nagavci ndër të tjera ka thënë se rregulloret, ligjet dhe gjithçka që e rregullon këtë çështje në aspektin normativ janë shumë të rëndësishme, por po aq të rëndësishme mbeten zbatimi i rregulloreve dhe ligjeve në praktikë. Sipas saj në aspektin e legjislacionit ne qëndrojmë mjaft mirë, duke filluar nga Kushtetuta, Ligji për Barazi Gjinore, Kodi Penal, Konventa e Stambollit etj.

“Do të doja të isha shumë optimiste, por gjendja vazhdon të mbetet shqetësuese qoftë për shkak të paragjykimeve, stigmës, por edhe për shkak të mos kualifikimet të veprave që edhe janë ngacmime seksuale si të tilla. Hapi jonë i ardhshëm është që kjo rregullore të mos jetë vetëm për Universitetin e Prishtinës. E kuptojmë që UP është më i vjetri dhe më i madhi, por të gjitha diskutimet po zhvillohet vetëm në Universitetin e Prishtinës, deri ne kemi edhe universitete të tjera publike dhe numër të madh të kolegjeve private…dhe tashmë ka edhe një draft plan, i cili do të lansohet shumë shpejt për adresimin e disa prej gjetjeve që u përmendën këtu dhe një plan konkret të veprimit, në mënyrë që Rregullorja të zbatohet edhe në praktikë”, ka thënë Nagavci.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka theksuar se ka paqartësi tek qytetarët se ku duhet të drejtohen për adresimin e rasteve të tilla, duke theksuar se duhet të punohet edhe më shumë në fushata vetëdijësuese.  

“Ky raport pasqyron jo vetëm gjendjen në Universitet, por edhe gjendjen në shoqëri, kur i referohemi faktit se sa raste janë raportudhe cili është perceptimi ynë se në mesin e shoqërisë tonë ekziston ngacmimi seksual dhe në çfarë përmasa ka shtrirje…Pesë rastet për mua tregojnë një nismë edhe një hap në drejtimin e duhur, por nuk e tregon realitetin. Qytetari sot nuk e ka të qartë se cilat janë adresat ku duhet të raportohet rasti, përderisa edhe vet institucionet nuk janë të vetëdijshme se cili është roli i tyre në adresimin e këtyre rasteve”, ka thënë ai.

Profesoresha dhe aktivistja Vjollca Krasniqi ka vënë fokusin tek heshtja dhe izolimin e rasteve.

“Nuk tregohet shkalla e dhunës që ekziston sot në shoqërinë tonë. Dhuna ende shikohet si domen i sferës private, dhe çfarëdo dhune duhet të zgjidhet brenda rolit privat. Roli i Universitetit është shumë i rëndësishëm që ta thyejë këtë heshtje, dhe këtë tabu rreth dhunës në baza gjinore. Ky raport është një moment i rëndësishëm për UP-në që me i adresuar dhe me kriju mekanizma për me arrit një transparencë dhe llogaridhënie që i bën institucionet akademike me integritet akademik. Iniciativa të tilla që vijnë nga shoqëria civile është qëllimi i krijimit të një institucioni të barabartë dhe kredibil, dhe po ashtu se arsimi krijon hapësira të barabarta dhe shoqëri që ka zero tolerancë ndaj dhunës”, ka thënë Krasniqi.

Milazim Govori nga Policia e Kosovës ka theksuar se jo çdo informatë që e marrin është vepër penale, por çdo informatë duhet të trajtohet dhe të verifikohet nëse është vepër penale.

“Rregullorja është një punë e mirë, dhe duhet të rregullojë procedurat deri aty kur një sjelljë është vepër penale, që më pas të zbatohet nga institucionet përkatëse. Ne duhet të krijojmë besim te viktimat që të denoncojnë rastet. Të gjitha rastet e veprës penale duhet të denoncohen në polici, dhe prej aty duhet të trajtohen me konfidencialitet”, ka thënë Govori.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave ka thënë se për ngacmimin seksual është filluar vonë të flitet në shoqërinë tonë. Ajo ka bërë thirrje që hapësirat publike, përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës duhet të jenë më të sigurta për vajzat dhe gratë.

“Disa nga hapësirat që mendohet të jenë më të sigurtat për gratë, si shtëpia apo vendet e punës në fakt janë e kundërta që ndodhë, janë pikërisht këto hapësira që i cenojnë dhe ku ngacmohen e vriten. Studentet në UP nuk ndihen komod me i raportu ngacmimet seksuale. Universiteti i Prishtinës duhet të krijojë mekanizma të sigurt që gratë dhe vajzat të kenë hapësirë të sigurt për të folur. Nuk janë vetëm studentet pre e ngacmimeve seksuale, ka edhe profesoresha që ngacmohen”, ka thënë Breznica, teksa ka shtuar se vetëm ekzistenca e Rregullores nuk është e mjaftueshme, por ajo duhet të shërbejë që studentet ta raportojnë rastin. “Kjo rregullore duhet të shkojë në rishikim dhe RRGK është e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj”.

Zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi, Drita Hyseni, para të pranishmëve ka treguar hapat që janë ndërmarrë për informimin e studentëve për rregulloren.

Ajo ka përmendur sesionet informuese për studentët e vitit të parë, të cilat i realizon edhe në bashkëpunim me Artpolis. Poashtu, informimi përmes ëeb faqes së universitetit dhe sistemit SEMS, të cilin e përdorin studentët.

Drejtorja ekzekutive e Artpolis, Zana Hoxha, iu është drejtuar me një mesazh inkurajues studentëve prezent në këtë prezantim raporti dhe panel diskutimi.

“Kurrë mos hiqni dorë nga studimet në rast se keni përjetuar ndonjë rast të ngacmimit seksual në universitet. Duhet të shfrytëzoni të drejtën e juaj për me u mbrojtë dhe me i denoncu këto raste. Nëse keni nevojë mund të na drejtoheni edhe neve si organizatë, nëse keni nevojë për përkrahje”, ka thënë Hoxha, e cila ka theksuar se adresimi i ngacmimeve seksuale para 10 vitesh ka qenë tabu, dhe megjithatë ka progres në këtë aspekt, por që nuk është i mjaftueshëm.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu:

Aktiviteti organizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada Suedeze në Prishtinë dhe UNFPA.

You may also like