“E Bija”, me mesazhe kundër ngacmimeve dhe fuqizim të vajzave
7 Qershor, 2024
27 – 31 Maj, 2023
14 artistë/e të rinj nga Kosova dhe Serbia u bashkuan në udhëtimin e përbashkët për të shkëmbyer përvojat dhe kulturat e dy vendeve dhe për të mësuar më shumë në krijimin e veprave artistike me qëllimin e ndërtimit të paqes.
Programi “Thyerja e Barrierave Ndërkulturore”, është iniciativë gjithëpërfshirëse e krijuar për të promovuar dialogun ndërkulturor, bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
5 (pesë) ditët e para të aventurës 10 ditore ishin të mbuluara me punëtori, ligjërata e vizita institucioneve kulturore, në Prishtinë dhe Prizren. Ideatorja dhe mentorja e programit, Tamara Tomasheviq punoi ngushtë me pjesëmarrësit/et e programit duke praktikuar teknika të ndryshme artistike e kulturore, me mbështetje psikologjike për të krijuar hapësirë të sigurt për të gjithë.
Pjesëmarrësit/et arritën të punojnë bashkë, të krijojnë njohuri të reja me moshatarët e tyre, të argëtohen por edhe të dëgjojnë ligjërata nga personalitete të njohura të cilët/at në prapavijë bartin veprimtari të begatë në fushën e artit, kulturës, të të drejtave të njeriut, drejtësisë tranzicionale, por edhe në krijimin e urave me artistet/ë dhe aktivistet/ët e vendeve të rajonit për një jetë paqësore.
Artpolis ishte nikoqire e pjesëmarrësve nga Kosova dhe Serbia. Zana Hoxha, themeluese dhe drejtore e Artpolis dhe FemArt, iu tregoi për aktivitetet e organizatës, aktivizmit përmes teatrit dhe dialogut social, trupën rezidente të artistëve dhe Festivalin FemArt; More Raça asistente në Fakultetin e Arteve, drejtimi Regjia e Filmit, informoi për procesin e krijimit të filmit, ndryshimet pozitive në fakultet me theks në zbatimin e barazinë gjinore dhe adresimin e çështjeve sociale përmes filmave; Adea Kondirolli nga Orca si një ndër pjesëmarrëset e edicionit të parë të programit Thyerja e Barrierave Ndërkulturore, foli për përvojat e saj dhe të veprimtarisë së Orca në monitorimin e sistemit arsimor; Ligjërata e analistit dhe politikanit Shkëlzen Gashi në trajtimin e temave të drejtësisë tranzicionale, lufta në Kosovë, krahasimi i narrativave për viktimat dhe të mbijetuarat/it e dhunës gjatë luftës në Kosovë por edhe në periudhat e mëhershme, ngjalli shumë interesim tek artistët e rinj; Vizita në ekspozitën „Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë“ në bibliotekën „Hivzi Sylejmani“ u përcjell me emocione të forta ndjeshmërie, në mesin e eksponateve të gjesendeve personale të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000.
Udhëtimi studimor edukativ 5 ditor, në Kosovë, i këtij grupi divers artistësh të rinj përfundoi me vizitën kulturore në Prizren, ku përmes sqarimeve të ngjarjeve historike në mënyrë shumë virtuoze guida Bashkim Fazliu tregoi shumëçka për Lidhjen e Prizrenit, nocionin e kombit dhe gjuhës por edhe kulturën e vjetër të Prizrenit; Ndërkaq drejtori artistik i festivalit prestigjioz DokuFest, Veton Nurkollari foli për festivalin, të arriturat dhe rolin në zhvillimin turistik dhe ekonomik të qytetit.
Programi, i cili zbatohet që nga marsi i vitit 2015, drejtohet nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHR), dhe gjatë tre viteve të ardhshme do të zhvillohet në bashkëpunim me Artpolis nga Prishtina dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian.