Shfaqjet Teatrale

“Tre 1 T’eti” dekonstrukton maskulinitetin toksik, i jep zë gruas

28 Dhjetor, 2023

27.12.2023

Më 27 dhjetor, 2023 në Teatrin Dodona është dhënë premiera e shfaqjes dans teatër “Tre 1 T’eti”, nga Robert Nuha dhe Ansambli i Artpolis.

Në ndërthurje të satirës, dansit bashkëkohorë dhe dramës “Tre 1 T’eti” vuri në pah maskulinitetin toksik të burrave të krijuar ndër shekuj nga sistemi patriarkal, e shtypjen sistematike ndaj grave.

“Tre 1 T’eti” ngre pyetje pa tentuar të japë përgjigje, atë ia lë publikut që të reflektojë. Në një lojë komplekse teatrore, personazhet transformohen, udhëtojnë në kohë e thellohen në gjurmim personal në kërkim të përgjigjeve. Patriarkati e feminizmi janë botëkuptimet që përplasen gjatë tërë kohës. Mjeshtërisht, Nuha ka jetësuar dy personazhet kryesore, babanë dhe vajzën, të cilët nuk inskenohen fizikisht, por janë thelbi i shfaqjes. Ata jetësohen përmes rrëfimeve të tre vëllezërve që luhen nga aktorët e Artpolis, Edlir Gashi, Labinot Raci dhe Mikel Markaj.

Maskuliniteti toksik zë vend në secilën skenë të shfaqjes. Ai shpërfaqet qysh në skenën e parë. Tre vëllezër ngushëllojnë njëri-tjetrin për vdekjen e babës, të tre i japin kurajë njëri-tjetrit, “mos kaj, bonu burrë”, “bonu burrë, mos kaj si çikë”, “rri drejt, mos ec si çikë”, “burri është burrë!”. Për të vazhduar më pas me përplasjen e binjakëve, njëri dy minuta më i madh se tjetri, si element i hierarkisë dhe maskulinitetit toksik të mbjellura nga patriarkati.

Prona dhe trashëgimia e babait përplas vëllezërit. Ata refuzojnë të bëjnë ndarje të barabartë, e aq më pak për motrën e tyre. Kjo përplasje i çon në varrin e babait të tyre, aty ku marrin unazën e tij. Përmes unazës personazhet transformohen, e udhëtojnë në kohë, duke gjurmuar këtë problematikë të patriarkatit në gjenezë. Në skenë vijnë edhe Zeusi, Hadi e Posiedoni, që ironikisht përballen me problemet e njëjta të tre vëllezërve në tokë – ndarjen e trashëgimisë, dhe lakminë për pushtet.

“Tre 1 T’eti” poashtu thumbon edhe repin, industrinë e muzikës që çdo ditë sjellin mesazhe seksiste, dhe nxisin shfrytëzimin e grave, e dhunën ndaj tyre.

Secili element i shfaqjes është përzgjedhur me kujdes, dhe i inskenuar për të shpërfaqur maskulinitetin toksik, dhe të drejtën e grave për pronë e për jetë.

Sipas koreografit Robert Nuha, autor i shfaqjes “Tre 1 T’eti”, makuliniteti toksik është shumë më shumë sesa që e flasim në përditshmëri, dhe ai fillon pikërisht në familjet tona.

“Maskuliniteti toksik është një nga elementet më të rëndësishme në shfaqje. Mënyra se si e kam trajtuar, së bashku me ekipën, jemi kthyer tek vetja. Jemi kthyer tek familjet, jemi kthyer tek ajo se çka ne jetojmë dhe çfarë shohim dhe dëgjojmë për ditë. Pra, toksiciteti nis edhe në familje, toksiciteti mashkullor është shumë më i madh se sa që ne e flasim, por që shpeshherë shkojmë shumë larg, dhe harrojmë se është shumë afër”, ka thënë Nuha, pas premierës, teksa ka theksuar se njerëzit duhet të fillojnë të reflektojnë mbi gjithçka që na është mësuar deri më sot, veçanërisht sa i përket diskriminimit të grave, e dhunës në familje.

Për bashkëregjisorin e kësaj shfaqje, Butrint Pasha, patriarkati i dëmton edhe burrat, duke ju kërkuar për të “qenë burra”.

“Tek shfaqja Tre 1 T’eti shohim ngjarje reale të nënvetëdijes së disa burrave, kështu e kam kuptuar unë gjatë procesit. Në këtë kuptim, patriarkati është duke dëmtuar burrat direkt ose indirekt, pasi feminizmin patjetër është duke e dëmtuar. Pasi, nuk është lehtë me të thënë dikush ‘bonu burrë’, ‘sillu si burrë’, ‘ti je djalë’, pra është kërkesë, po na kërkohet me qenë të tillë. Po na kërkohet me qenë të fortë, po na kërkohet mos me qajtë, po na kërkohet të punojmë më shumë sesa që ka nevojë, po na kërkohet të bëjmë më shumë se që meritojmë edhe mundemi”, është shprehur Pasha.

Regjisori Fadil Hysaj ka vlerësuar punën e Ansamblit të Artpolis, duke theksuar se kjo shfaqje është një fillim shumë i mirë i temave feministe, por ajo që e ka bërë të veçantë është pikërisht trajtimi i temës përmes këndvështrimit të burrave.

“Kjo është një hyrje në një proces që mendoj se Artpolisi ka me e pas në të ardhmen, që me e pa se problemi i grave nuk është tek gratë, por është tek burrat. Edhe duhet të fillojë emancipimi i burrave për avancimin e të drejtave të grave. Sepse çfarëdolloj rebelimi, çfarëdo guximi që na mendojmë se gratë duhet me e pas, nëse nuk punohet me vetëdijesimin e burrave, ose reflektimin e tyre për atë se çka ndodhë në shoqërinë tonë, atëherë kjo vetëm mundet me e rritë konfliktin, edhe me qenë viktimë sërish gratë”, ka thënë Hysaj.

Për shkak të konceptit të shfaqjes, numri i shikuesve ishte i limituar, dhe 50 persona mbrëmë patën rastin të shohin premierën e shfaqjes “Tre 1 T’eti” në Teatrin Dodona. 

“Tre 1 T’eti” (T’thymtë) është produksion i Artpolis, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe organizatës zvicerane Frieda.

You may also like