Forum Teatri

“Trisomy Love”, për dashurinë dhe fuqizimin i personave me down syndrome

15 Dhjetor, 2023

15.12.2023

Më 15 dhjetor, 2023 persona me sindromë Down kanë luajtur në performancën “Trisomy Love” në Qendrën Kulturore Rinore në Ortakoll, Prizren.

Organizuar nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Down Syndrome Kosova – Qendra Prizren, performanca “Trisomy Love” ishte një manifestim i dashurisë së personave me sindromë Down dhe përditshmërisë së tyre.

Me vallëzime të ndryshme dhe recitime Ada Gorda, Arlind Rizanaj, Alber Bytyqi, Aela Qafleshi, Behije Arapi, Diana Gashi, Flamur Bytyqi, Fatmir Sallah, Liridona Xhemaj, Merlinda Sope, Ndalore Likaj, Selim Maloku, dhe Smajl Hoti dhanë një performancë shumë emocionale për të gjithë të pranishmit në sallë.

Përtej sipërfaqësores, përtej asaj çka shohim ne, zbulohen shtresa të emocioneve dhe reagimeve të personave me sindromë Down. Ne afrohemi deri tek njohja e vërtetë e dashurisë që këta persona kanë për të dhuruar çdo ditë përkundër vështirësive të tyre për jetë që janë të dyfishuara. Fuqia më e madhe e tyre është ajo të cilën nuk mund ta shohim. Ajo është brenda tyre dhe ata e manifestojnë tek ne si ndjesi.

Ndalore Likaj, pjesë e Klubit Teatror në Prizren, është shprehur se ky ka qenë një proces shumë i mirë dhe janë argëtuar jashtëzakonisht shumë gjatë tërë kohës.

“Kemi bërë ushtrime e vallëzime me Donikën e Blertën. Jam ndier jashtëmase mirë, jam mbushë plot me dashuri. Me të gjithë jam ndier shumë mirë”, ka thënë Likaj.

Ajo ka folur edhe rreth procesit të krijimit të shfaqjes, “unë tërë kohës e kam përsëritur tekstin që e kam pasur, dhe e kam mësuar. Kur ka ardhur dita me pas një shfaqje me personat me sindromë Down unë kam mbetur pa fjalë”.

Selim Maloku, që luajti në këtë performancë, është shprehur shumë i lumtur për tërë këtë proces krijues.

“Shfaqja ka qenë shumë e mirë, jemi kënaqur shumë. Kemi kaluar shumë mirë me të gjithë kolegët. Donika e Blerta shumë të mira, i kam këtu në zemër, krejt i kam në zemër”, është shprehur ai.

Aktorja e Ansamblit të Artpolis, Blerta Gubetini, që së bashku me aktoren Donikë Ahmeti kanë mentoruar këta të rinj dhe të reja me sindromë Down, ka thënë se ndihet me shumë fat dhe krenare që e ka pasur këtë shans dhe të marrë këtë përvojë nga personat me sindromë Down.

“Të punoj me personat me sindromë Down këtë periudhë për mua ka qenë një “sfidë” e ëmbël. T’i shohësh vështirësitë e tyre, specifikat e mënyrës së jetesës dhe përpjekja për t’i kuptuar e pastaj përmes artit t’i shndërrojmë në teatër ishte një mësim për mua për të cilin nuk e dija se kam nevojë ta përjetoj. Këta persona, me dashurinë që kanë brenda tyre meritojnë thirrje edhe për më shumë hapësira dhe njerëz që kanë mjaftueshëm vullnet ta vënë në pah këtë dashuri, për të cilën unë e ndjej veten me fat dhe krenare që së bashku me Donikën dhe Artpolisin e kemi bërë këtë”, është shprehur Gubetini.

Ajo poashtu ka falënderuar Down Syndrome Kosova në Prizren, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë që të jenë gjatë tërë kohës të përfshirë në këtë proces krijues.

“Dua të falënderoj edhe Down Syndrome Kosova këtu në Prizren për një bashkëpunim shumë korrekt dhe të palodhshëm. Angazhimi i tyre në procesin krijues na ka lehtësuar punën dhe na ka ndihmuar të kuptojmë sa më mirë të gjithë pjesëmarrësit. Pa këtë bashkëpunim të ngushtë kjo performancë që e pamë sot vështirë se do ta kishte këtë rezultat”, ka thënë ajo.

Grenita Grazhda, punëtore sociale në Down Syndrome Kosova – Qendra Prizren, teksa ka falënderuar stafin dhe Ansamblin e Artpolis për bashkëpunimin shumë efikas, ka vënë në pah rëndësinë që ky Klub Teatror ka pasur për personat me sindromë Down, dhe ndikimin direkt tek ta.

“Anëtarët e Shoqatës tonë, që kanë qenë artistët e kësaj shfaqje, i kanë shijuar tejmase këto prova intensive ku kanë pasur mundësinë me i shfaq emocionet dhe talentin e tyre pa asnjë barrierë dhe pa ju vendosur asnjë kufi. Kjo ka qenë një mundësi shumë e mirë për secilin prej anëtarëve tonë për me e shfaq veten e tyre përball një publiku të gjerë. Në këtë proces anëtarët tanë kanë ardhur me shumë qejf dhe kanë pasur shumë energji pozitive, dhe përveç neve si staf që e kemi vërejtur, kanë qenë edhe reagimet e prindërve që na kanë dhënë komente, të cilët kanë thënë se është rritur liria e shprehjes, lirinë që ata me bo gjithçka që kanë dashur, të kërcejnë e të vallëzojnë së bashku dhe me i shpreh ndjenjat e tyre në pjesë teatrale”, ka thënë Grazhda.

Përfshirja e personave me sindromë Down në procesin krijues të shfaqjes ka qenë shumë i vlefshëm edhe për prindërit, të cilët kanë parë ndryshime pozitive tek fëmijët e tyre përgjatë këtyre muajve.

Nurten Gorda, nëna e Ada Gorda që luajti në performancën “Trisomy Love”, u shpreh se, “shfaqja ka qenë shumë e mirë, edhe procesi shumë i mirë.

Dua të ju falënderoj të gjithëve që jeni angazhuar për ta bërë të mundur këtë shfaqje. Ada ka kaluar shumë mirë dhe ka qenë shumë e lumtur gjatë gjithë këtij procesi. Personat me sindromë Down duhet t’i angazhojmë sa më shumë në aktivitete artistike”, ka thënë ajo.

Kjo performancë është përkrahur edhe nga Komuna e Prizrenit dhe për ta përcjellë premierën prezent ishte edhe kryetari, Shaqir Totaj.

Kjo performancë është krijuar nga Artpolis në bashkëpunim me Down Syndrome Kosova – Qendra Prizren, me mbështetje të Fondacionit Joseph Handleman “I Believe in You”, Frieda, MKRS, OJQ “Active and Creative Youth”, dhe Komuna e Prizrenit.

You may also like